Një rritje në ritmin me të cilin po rritet niveli i deteve kërcënon “një eksod masiv të popullsive të tëra në një shkallë biblike”.
Kështu ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Kriza klimatike po bën që nivelet e deteve të rriten më shpejt se për 3 mijë vjet, duke sjellë një “përrua telashesh” për pothuajse një miliardë njerëz, nga Londra në Los Angeles dhe nga Bangkok në Buenos Aires.
Sipas Guterres, disa kombe mund të pushojnë së ekzistuari, të mbytur nën valë.
Duke iu drejtuar këshillit të sigurimit të OKB-së, ai ka thënë se ulja e emetimeve të karbonit, adresimi i problemeve të tilla si varfëria që përkeqësojnë ndikimin e rritjes së deteve mbi komunitetet dhe zhvillimi i ligjeve të reja ndërkombëtare për të mbrojtur ata që mbeten të pastrehë janë të gjitha të nevojshme.
Po ashtu ai ka thënë se rritja e nivelit të detit ishte një shumëfishues i kërcënimit, i cili, duke dëmtuar jetët, ekonomitë dhe infrastrukturën, kishte ndikime “dramatike” për paqen dhe sigurinë globale.
Tashmë, rritja e ndjeshme e nivelit të detit është e pashmangshme me nivelet aktuale të ngrohjes globale. Por pasojat e dështimit për të trajtuar problemin janë “të paimagjinueshme”.
“Vende të tëra mund të zhduken përgjithmonë. Do të ishim dëshmitarë të një eksodi masiv të popullsive të tëra në shkallë biblike. Dhe ne do të shihnim konkurrencë gjithnjë e më të ashpër për ujë të freskët, tokë dhe burime të tjera”, ka theksuar Guterres
Sakaq, Komisioni Ndërkombëtar i së Drejtës është duke vlerësuar situatën ligjore.
Në vitin 2020, komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut vendosi se ishte e paligjshme që qeveritë të kthenin njerëzit në vendet ku jeta e tyre mund të kërcënohej nga kriza klimatike.
Një përmbledhje e re e të dhënave nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) tregon se nivelet e detit po rriten shpejt dhe oqeani global është ngrohur më shpejt gjatë shekullit të kaluar se në çdo kohë në 11 mijë vitet e fundit.
Nivelet e detit rriten me zgjerimin e ujit të ngrohtë dhe shkrirjen e kapakëve të akullit dhe akullnajave.
“Edhe nëse ngrohja globale kufizohet mrekullisht në 1.5 gradë, do të ketë përsëri një rritje të konsiderueshme të nivelit të detit”, ka thënë Guterres.