Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim të dukshëm në drejtim të konvergjencës së të ardhurave me vendet e BE. Konvergjenca e të ardhurave matet zakonisht duke krahasuar të ardhurat për frymë të një vendi me atë të një kombi më të begatë, në këtë rast mesatarja e BE-së. Për Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore në raportin e fundit rajonal evidentoi se, ky raport varionte nga 27.3 për qind në Kosovë në 50 për qind në Mal të Zi në vitin 2022, duke treguar se standardet e jetesës së vendeve janë midis një të katërtës dhe gjysmës së mesatares së BE-së.
Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë arritur të njëjtin nivel konvergjence dhe as nuk kanë përparuar me të njëjtën shpejtësi.
Duke ekzaminuar shpejtësinë mesatare të konvergjencës, ose shkallën e ndryshimit në konvergjencën e të ardhurave për dekadë, evidentohet se Mali i Zi dhe Serbia kanë rritur shpejtësinë e konvergjencës në dekadën e fundit. Ekonomitë e tjera kanë reduktuar shpejtësinë e konvergjencës, që do të thotë se shkalla e saj ka qenë më ulët se në vitet 2000.
Për shembull, shpejtësia e konvergjencës për Shqipërinë është ulur nga një mesatare prej 5 pikë përqindjeje pas vitit 1997 në rreth 2.7 pikë përqindjeje në dekadën e fundit.
Banka Botërore vë në dukje se, investimet në kapitalin njerëzor dhe në produktivitetin e bizneseve janë dy rrugët për të përshpejtuar konvergjencën, në të gjitha vendet e Rajonit dhe sidomos në Shqipëri.
Fusha të tjera kanë të bëjnë me menaxhimin më të mirë ekonomik, reforma në ndërmarrjet shtetërore (NSH) dhe forcimin institucional në përgjithësi ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies. Banka sugjeron se rritja e menaxhimit të investimeve publike është gjithashtu thelbësore, pasi mangësitë në sasinë dhe cilësinë e kapitalit të infrastrukturës minojnë kthimin e investimeve private.
Poltikat dhe investimet e koordinuara për integrimin rajonal mund të gjenerojnë gjithashtu përfitime të rëndësishme në mbarë Rajonin. Për shembull, ulja e kohës së pritjes në kufi ka të njëjtin ndikim në eksporte si ulja e tarifave në tregun e BE-së.
Së fundi, tranzicioni i gjelbër dhe nevoja për një model të qëndrueshëm ekonomik shihen gjithashtu si mundësi për vendet e Ballkanit që të përafrojnë standardet me BE-ne. Disa nga vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë kanë hapur negociatat me BE për anatërsim, por deri në momentin kur të merret vendimi i pranimit Shqipëria duhet të ketë një nivel të ardhurash për frymë së paku 50% e mesatares së BE-së nga 32 për qind që ka aktualisht.
Shqipëria prej vitesh ka rënë në kurthin e një modeli ekonomik të bazuar në krahun e lirë të punës dhe bizneset nuk po munden të kalojnë në hapin tjetër të zinxhirit të vlerës për të rritur fitimet për punonjësit e për rrjedhojë të ardhurat për frymë të popullsisë.
//Monitor