Rroga vjetore e një ministri zviceran është gjysmë milioni euro. Megjithatë, një parti zvicerane ka vështirësi serioze të gjejë një kandidate apo kandidat për ministër. Zvicra ka 7 ministra. Rroga vjetore e ministrit apo ministres është 472,958 franga (ose: gjysmë milioni euro). Para disa ditësh ministrja e Mbrojtjes dha dorëheqjen nga Qeveria e Zvicrës. Së shpejti parlamenti duhet të zgjedhë një ministër apo ministre të re.
Posti i takon partisë “Die Mitte”, qendra, e cila dikur njihej me emrin Partia Popullore Kristiandemokrate (CVP). Është caktuar një komision për gjetjen e kandidatëve që mund t’i propozohen parlamentit për zgjedhje në funksionin e ministrit në qeveri. Por, komisioni nuk po arrin të gjejë kandidatë.
Ditëve të fundit janë përmendur rreth 10 kandidatë të mundshëm për ministër. Pothuajse të gjithë kanë njoftuar se nuk janë të interesuar të bëhen ministra në Bernë. Arsyetimet janë të ndryshme. Sot përfundon afati për paraqitjen e kandidaturave. Deri më tani vetëm dy politikanë kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e qeverisë. Favorit është kryetari i Shoqatës së Bujqve dhe Blegtorëve të Zvicrës, Markus Ritter. Më 12 mars dy dhomat e Parlamentit të Zvicrës do të mblidhen për të zgjedhur ministrin e ri.