Çdo punonjës që ka punuar në kompani të goditur nga virusi Covid 19 do të marrë nga 14500 denarë për muajin prill dhe maj.
Në këtë mënyrë shteti do ti shpëtojë vendet e punës së qytetarëve, thotë kryeministri Oliver Spasovski. Për pakon e masave, Qeveria miratoi një dekret me fuqi ligjore.
“Madje 87% e kompanive mund të aplikojnë për të gjitha masat. Do të përfshihen rreth 250 mijë vende pune dhe rreth 35 mijë kompani. Shumën që do ta fitojë çdo punëtor për muajt prill dhe maj është 29 mijë denarë”, tha Oliver Spasovski.
Punëdhënësit për ndihmën e shtetit duhet të aplikojnë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Kërkesa dorëzohet në mënyrë elektronike përmes sistemit E- tatimet deri më datën 5 të muajit. Punëdhënësit paratë nga arka e shtetit duhet t’i marrin deri më datën 13 të muajit, siguron kryeministri Spasovski. Nëse punonjësit janë paraqitur me orar të plotë pune do të marrin 14.500 denarë ndërsa punëtorët të cilët në kontratë u shkruan se punojnë katër orë në ditë do të marrin 7250 denarë. Nëse vërtetohet se punëdhënësi nuk i ka plotësuar kushtet për marrjen e ndihmës shtetërore, duhet t’i kthejë të gjitha paratë e marra plus normën e interesit./Aslat/

