Policia ka arrestuar një tjetër autor të dyshuar të shtunën për krimin e zjarrvënies. Personi i arrestuar ka ndezur zjarr, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër, si dhe janë rrezikuar pronat përreth.
“Sapo janë njoftuar për një vatër zjarri, në fshatin Ballaj Vendas, Rrogozhinë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit F. B., banues në këtë fshat. Shtetasi F. B. kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, për djegien e disa mbeturinave, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër, si dhe janë rrezikuar sipërfaqe të tjera toke dhe banesat përreth.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht.