Rruga e Bayernit drejt titullit të dhjetë rresht

albnews
By
6 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Titulli rekord i Bayernit, i dhjeti rresht në Bundesligë, mund të jetë më i lehti nga të gjithë. Ekipi nga Munichu po vazhdon i pamposhtur në krye të tabelës nën trajnerin e ri, Julian Nagelsmann dhe kundërshtarët e tij nga sezoni i kaluar janë në rrëmujë të vërtetë.

Natyrisht, është shumë herët – janë luajtur vetëm gjashtë xhiro nga 34, por skuadrat e tjera të Bundesligës që janë mbështetur prej kohësh te Bayerni që bën gabime, nuk e kanë dhënë asnjë sinjal deri më tani.

Ky mund të jetë një problem i vërtetë për Bundesligën. Bayerni ka fituar nëntë ndeshjet e fundit nën urdhrat e trajnerit Nagelsmann, në të gjitha garat, dhe ka shënuar të paktën tre gola në secilën ndeshje, përfshirë fitoren 3:1 ndaj Borussia Dortmundit në Superkupën e Gjermanisë dhe atë 4:1 kundër Leipzigut në kampionat.

Sulmuesi Robert Lewandowski tashmë ka 13 gola në nëntë ndeshje dhe është në rrugën e duhur për të arritur rekordin e tij prej 41 golave në Bundesligë, që i realizoi edicionin e kaluar.

Faza e grupeve të Ligës së Kampionëve nuk do të jetë një shpërqendrim për shumë kohë, pasi Bayerni e nisi me fitore 3:0 ndaj Barcelonës dhe vazhdoi të mërkurën me një triumf edhe më të thellë – 5:0 kundër Dynamo Kievit, pavarësisht se nuk luajti me intensitet të plotë. Nagelsmann tha se Bayerni është akoma larg prej paraqitjes më të mirë dhe premtoi se në të ardhmen ekipi i tij do të jetë edhe më i fortë.

“Ne mund të bëhemi edhe më të mirë dhe do ta bëjmë këtë pasi po punojmë vazhdimisht në këtë aspekt”, insistoi Nagelsmann.

Kundërshtari tjetër i Bayernit në Bundesligë është Eintracht Frankfurti, ekip më të cilin luan të dielën. Gjërat nuk janë aspak mirë nëpër klubet e tjera të mëdha të Gjermanisë dhe kjo po ia lehtëson Bayernit punën për të marshuar drejt titullit të dhjetë rresht. Dortmundi duket ekip krejtësisht tjetër, varet prej faktit nëse sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, është në fushë. Dortmundi mbështetet në energjinë e tij të madhe për të mposhtur ekipet dhe për të mbuluar mbrojtjen e dobët të ekipit. Kjo qasje fitoi ndeshjet e njëpasnjëshme të Bundesligës në shtëpi me rezultatet 5:2, 3:2 dhe 4:2. Ndonjëherë fuqia sulmuese nuk është e mjaftueshme, siç u pa muajin e kaluar në një humbje të pritshme ndaj Bayernit dhe disfatës së papritur në Freiburg. Kur Haaland nuk luan, gjithçka prishet. Norvegjezi humbi dy ndeshjet e fundit të Dortmundit për shkak të një problemi muskulor, dhe ekipi i tij humbi 1:0 nga Borussia Moenchengladbachu në kampionat, përpara se ta mposhtte 1:0 Sportingun në Ligën e Kampionëve. Me gjithë fitoren ndaj Sportingut, skuadra e Dortmundit pati vështirësi në krijimin e rasteve.

Leipzigu nuk është shëruar nga humbja e trajnerit Nagelsmann te Bayerni dhe transferimet e lojtarëve kryesorë. Koha po kalon për trajnerin Jesse Marsch për të ndryshuar gjërat në ekip. Leipzigu është tashmë nëntë pikë larg Bayernit në ligë dhe i humbi dy ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve.

Ekipet që po mundohen më së shumti të sfidojnë Bayernin janë Bayer Leverkuseni dhe Wolfsburgu. Si Leverkuseni ashtu edhe Wolfsburgu kanë nga tri pikë më pak se Bayerni, por për shkak se nuk kanë ekipe me shumë lojtarë kualitativë, mund të dorëzohen në luftën për titull në sezonin e gjatë. Wolfsburgu ishte lider i hershëm, madje edhe para Bayernit në Bundesligë, por kjo formë tashmë ka filluar të zhduket. Ekipi nuk e ka asnjë fitore në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Një vit tjetër i dominimit të Bayernit – veçanërisht nëse gara për pikë nuk është e ngushtë – mund të jetë një problem afatgjatë për ligën. Synimi i Bayernit për titullin e dhjetë rresht vjen në një kohë kur ligat e tjera të mëdha evropiane kanë parë që dominimi i gjatë i ekipeve të tyre po shkatërrohet dhe garat për tituj janë bërë më interesante dhe më konkurruese.

Interi arriti ta ndalë serinë e Juventusit prej nëntë titujve rresht në Serie A edicionin e kaluar, ndërsa këtë edicion “Zonja e Vjetër” është dhjetë pikë prapa liderit, Napolit. Fitorja e Lillet në Francë edicionin e shkuar ndaloi tentimin e Paris Saint-Germainit për titullin e katërt rresht dhe Atletico Madridi ndali dominimin Barcelona-Real Madrid në Spanjë.

Një nga sekretet e dominimit global të Premier Leagues sa i përket audiencës televizive është paparashikueshmëria e saj. Katër ekipe kanë fituar titullin në gjashtë kampionatet e fundit dhe asnjë klub nuk ka fituar ndonjëherë më shumë se tre tituj radhazi.

Në Gjermani është më ndryshe. Por edhe Bayerni pushtues duhet të kuptojë se ka nevojë për rivalë vendas për ta bërë më kuptimplotë gjuetinë e titullit në Bundesligë.

Share This Article