Loriana Kuka e ka përjetuar rëndë ndaljen e hershme në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ajo ishte ndalur nga rusja Aleksandra Babinteseva në përballjen e parë në kategorinë deri 78 kilogramë.
Pas Tokios, Loriana ka pasur telashe me motivim, ndërsa mezi ka gjetur vullnet për të vazhduar me stërvitje. Nga garat ka munguar gjatë.
Është kthyer vetëm të dielën kur garoi në “European Open”, të mbajtur në Sarajevë. Është kjo Kupë Botërore, pra jo garë e nivelit më të lartë të xhudos. Por, gjithsesi garë me nivel.
Ashtu siç pritej, Loriana Kuka ka arritur në zonën e medaljeve. E ka fituar të artën. Ishte bartësja e
parë dhe medalja e artë e 24-vjeçares nuk është befasi. Por është një fillim i mbarë i rrugëtimit të
saj drejt Lojërave të ardhshme Olimpike, atyre “Parisi 2024”.
Ndonëse pa xhudiste të nivelit më të lartë, Loriana është sfiduar seriozisht të dielën në Sarajevë. Filloi me fitore ndaj turkes Serdem Daharli. Më pas e mposhti holandezen Lieke Derks. Në gjysmëfinale zhvilloi luftë të fortë me kroaten Petrunjela Paviq. Ndaj saj fitoi me “Waza-ari” në kohën shtesë. Edhe finalja me italianen Linda Politi shkoi në kohën shtesë. Edhe ndaj saj fitoi me hedhje për “Waza-ari”.
Pas finales, Loriana Kuka ka folur për mungesën e gjatë nga garat. Prej xhudistëve që përfaqësuan Kosovën në Tokio, në gara nuk është kthyer ende vetëm Nora Gjakova. Ajo ishte kampione olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë.
Distria Krasniqi është kthyer vjet, ndërsa Akil Gjakova u kthye në Paris, kohë më parë. Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës dhe tani po punon si trajnere.
“Kam munguar një kohë dhe është ndjenjë e mirë që jam kthyer. Kam pasur një pushim pas Lojërave të Tokios dhe kam punuar për të shtuar peshë, pasi jam ende e lehtë për kategorinë time. Kam ushtruar në mënyrë të zakonshme për një apo dy muaj. Po ashtu, kam dashur të filloj në një kategori më të lehtë që të kem më shumë luftëra. Po ndiej që nuk jam ende në nivelin më të lartë. Nuk është kjo paraqitja ime e vërtetë”, ka thënë Loriana Kuka për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos.
Loriana, ashtu si top-xhudistët e tjerë të Kosovës, këtë vit kërkojnë medaljet në Evropian dhe Botëror, ndër të tjera. Por synimi primar për të gjithë është më i largët – Lojërat Olimpike të Parisit.
“Ishte vështirë pas Lojërave Olimpike, kam pasur pritje të mëdha. Së paku kam synuar ta kaloj pengesën e parë. Por nuk funksionoi, kjo është xhudo. Më është dashur pak kohë që të marr veten dhe të gjej motivim për të stërvitur sërish. Jam e entuziazmuar tani për Paris dhe shpresoj që mund të kthehem në nivelin tim të vërtetë. Fakti se Olimpiada e ardhshme mbahet menjëherë në vitin 2024, është motivim për mua”, ka shtuar Loriana Kuka.
Trajneri Driton Kuka nuk ishte me ekipin në Sarajevë. Pas Olimpiadës, ai po paraqitet më pak nëpër gara. Me ekipin ishte Fatos Tabaku.
Driton Kuka natyrisht ka përcjellë paraqitjen e të gjithë xhudistëve.
“Ka pasur luftëra të mira. Edhe pse nuk kishte nivel të lartë të garuesve, gara ishte sfiduese. Klasa e mesme e xhudistëve di të bëjë befasi. Disa xhudiste të reja ishin të mira. Gjithsesi kjo ishte një garë e mirë për ta nisur stinorin. Për Lorianën ishte fillim i stinorit dhe kthim në gara pas një kohe pak më të gjatë”, ka thënë Driton Kuka, që është axha i Loriana Kukës.
Në Sarajevë kanë garuar pesë xhudistë nga Kosova.
Të shtunën, Fisnik Hyseni (73 kg) e Fationa Kasapi (57 kg) shënuan nga një fitore për t’u ndalur në luftërat e dyta. Të dielën, Arbër Kullashi (81 kg) humbi në luftën e parë. Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë e mposhti fillimisht gjermanin Daniel Herbst. Më pas humbi nga italiani Enrico Bergamelli. Kaloi në repesazh, ku humbi edhe nga britaniku Rhys Thompson.
Trajneri Kuka ka paralajmëruar më shumë gara për Shpati Zekajn. Ai ka vlerësuar fitoren e tij ndaj gjermanit, ndërsa ka thënë se në dy luftërat e tjera Zekaj nuk ka shfaqur potencialin.