Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi për mediet se aksi rrugor Librazhd-Pogradec është aktualisht i papërdorshëm për qarkullim, ndërsa situata vijon të degradohet pavarësisht ndërhyrjeve të kompanisë kontraktore “ANK” në lotin ku janë shënuar dëmtimet më të rënda.
Ai theksoi se kontraktori ka vijuar punimet gjatë gjithë natës me ecuri pozitive dhe se po punohet për krijimin e një bypass-i sekondar në pjesën e sipërme të skarpatës, me qëllim shmangien e një bllokimi të plotë të trafikut në këtë aks kombëtar të rëndësishëm.
“Kemi një situatë më stabël dhe më të përmirësuar nga dita e djeshme megjithatë të përkeqësuar. Kemi një plan zhvendosje të urës nga ana e Librazhdit që sot shënon 40 cm, 7 cm më e përkeqësuar krahasimisht me ditën e djeshme, ndërsa në plan vertikal prej 9 c. E njëjta situatë paraqitet edhe në krahun e Shkumbinit por nuk ka lëvizje vertikale. Kontraktori gjatë të gjithë natës ka vijuar punimet dhe ka pasur një ecuri mjaft pozitive. Punimet ecin shumë mirë dhe doja të njoftoja publikun që po bëjmë një bypass sekondar në pjesën e sipërme të skarpatës në mënyrë që të mos ndodhemi më në situatën e një bllokimi të plotë të trafikut në këtë aks kombëtar të rëndësishëm,”, u shpreh ai.
Ai shtoi se një parashikim optimist për rihapjen e rrugës është mesdita e ditës së nesërme, ndërsa priten edhe konkluzionet e Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, për shkak të pranisë së një rrjeti të tensionit të lartë në zonë.
“Një parashikim optimist dhe realist do të thoja se është mesdita e ditës së nesërme. Punimet në bypassin aktual mund të përfundojnë edhe për 4 orë por duke qenë se kemi punime në pjesën e sipërme të cilët përbëjnë rrezik për rënien e masive shkëmbor ky aks është i domosdoshëm të mbahet i mbyllur. Kemi nevojë të marrim konkluzionet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar i cili ishte dje sepse këtu është një rrjet e tensionit të lartë që mund të preket. Punimet në pjesën tjetër po vijojnë sipas planit”, tha Kozeli


