Rruga pranë ambasadës ruse në Tiranë është emërtuar “Ukraina e lirë”. Vendimi u miratua me unanimitet nga këshilli bashkiak, që gjatë votimi ngriti edhe kartonë me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, në shenjë mbështetjeje për vendin e pushtuar nga Rusia. Në të njëjtën rrugë, ndodhet ambasada ruse, ajo e Kosovës, e Serbisë dhe e Ukrainës.
Rruga më parë mbante emrin “Donika Kastrioti”, gruaja e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeu.
Në një postim në Twitter, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se emërtimi duhet të shërbejë si një kujtesë për stafin e ambasadës ruse. “Ata do të duhet të jetojnë dhe të marrin postën me adresën e re “rruga Ukraina e lirë”. Aty do të duhet të punojnë”, tha Veliaj.
Shqipëria është renditur në krahun e shteteve që kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë, madje ishte bashkëhartuese e rezulotuës që e dënonte pushtimin rus dhe që u miratua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare. Një ditë më parë, Rusia e futi Shqipërinë në listën e vendeve jomiqësore, ndërsa në Kharkiv, godina ku ndodhej konsullata e nderit e Shqipërisë u shkatërrua nga bombardimet ruse.