Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka paralajmëruar Izraelin lidhur me aneksimin e Bregut Perëndimor, duke shtuar se një veprim i tillë do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
“Kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Marco Rubio përpara se të nisej për në Izrael, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të mbështetur një marrëveshje të brishtë armëpushimi.
Rubio tha se aneksimi do të ishte “kundërproduktiv” dhe “kërcënues” për marrëveshjen e paqes, duke përsëritur kundërshtimin e SHBA-së ndaj aneksimit .
Parlamenti izraelit ndërmori hapin simbolik të dhënies së miratimit paraprak për një projektligj që i jep Izraelit autoritetin për të aneksuar Bregun Perëndimor. Netanyahu më parë ka folur në mbështetje të aneksimit të tokës së Bregut Perëndimor, por nuk e ka çuar përpara këtë çështje për shkak të rrezikut të armiqësimit me SHBA-në, aleatin më të rëndësishëm të saj.
Palestinezët e pretendojnë Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti të pavarur të shpresuar. Ministria e Jashtme palestineze e dënoi vendimin e Knesetit, parlamentit izraelit, duke thënë se Izraeli nuk do të kishte sovranitet mbi tokën palestineze.
Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku janë strehuar 700,000 hebrenj gjatë pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë pranë tyre.
Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, një qëndrim i mbështetur nga një mendim këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vitin e kaluar.
Udhëtimi i Rubios drejt Izraelit vjen si përpjekje për të shtyrë përpara fillimin e bisedimeve mbi fazën e dytë kritike të planit të tij të paqes me 20 pika në Gaza .
Faza e parë përfshin një armëpushim, tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe një fluks ndihmash, ndërsa faza e dytë e planit të paqes do të përfshinte ngritjen e një qeverie të përkohshme në Gaza, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi, tërheqjen e trupave izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.