Andrew Tate, një kikboksier britaniko-amerikan i kthyer në personalitet në internet, dhe vëllai i tij janë arrestuar në Rumani si pjesë e një hetimi mbi trafikimin e qenieve njerëzore.
Tate dhe vëllai i tij, Tristian, si dhe katër të dyshuar të tjerë do të mbahen në paraburgim për t’u marrë në pyetje nga prokurorët rumunë. Ish-kikboksieri u bë i famshëm në vitin 2016 kur u hoq nga emisioni televiziv britanik Big Brother për shkak të një videoje që tregonte atë duke sulmuar një grua. Ai vazhdoi të fitonte famë në internet, me Twitter që e ndaloi atë për të thënë se gratë duhet të “mbajnë përgjegjësi” për sulmet seksuale.
Videoja e shpërndarë në mediat sociale tregon Tate dhe vëllain e tij duke u larguar nga një vilë luksoze. Drejtoria e Rumanisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit lëshoi një deklaratë, por nuk përmendi emrat e vëllezërve Tate, duke deklaruar se dy shtetas britanikë dhe dy shtetas rumunë dyshoheshin se ishin pjesë e një grupi kriminal të fokusuar në trafikimin e qenieve njerëzore. Ajo publikoi gjithashtu një video të bastisjes, duke treguar armë, thika dhe para në një dhomë.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se të dyshuarit kishin krijuar një grupi krimi të organizuar me qëllim rekrutimin, strehimin dhe shfrytëzimin e grave duke i detyruar ato që të krijonin përmbajtje pornografike që synohet të shihej në faqet e internetit.
Vëllezërit janë nën hetim që nga prilli së bashku me dy shtetas rumunë pasi dy vajza të reja, njëra prej të cilave me nënshtetësi amerikane, u gjetën në një vilë në Rumani nga policia dhe prokurorët. Vajzat pretenduan se ishin mbajtur me forcë nga dy vëllezërit britanikë. Më 11 prill, Tristan dhe Andrew Tate u morën në pyetje por më pas u liruan, por hetimet vazhduan. Tristan dhe Andrew Tate janë praktikues të kikboksit dhe u transferuan në Rumani pesë vite më parë.