Ministria e Drejtësisë së Kosovës përmes dy shkresave, një të dërguar vitin e kaluar, e një sivjet, u ka kërkuar autoriteteve rumune informacione në lidhje me procedurat e hetimit dhe zbardhjes së rastit të vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit. Por, në një përgjigje për KOHËN nga Ministria kanë thënë se për asnjërën prej këtyre letrave, nuk kanë marrë përgjigje.
Zbardhja e rastit të vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit ka mbetur peng i mungesës së bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre rumune.
Balaj e Xheladini u vranë me plumba gome nga policë rumunë që vepronin në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më 10 shkurt 2007 në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e kundërshtuar pakon e Ahtisaarit dhe negociatat me Serbinë. Përmes një shkrese, në shkurt të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, ku kërkonte informacion për procedurat e hetimit ndaj policëve rumunë që kanë kryer vrasjen.
“Me anë të Aktvendimit të datës 05.02.2009, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, Gjykata e Qarkut në Prishtinë miratoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë të Rumanisë për të dërguar materialet dhe provat e nevojshme për ndjekjen penale të policëve të dyshuar para Zyrës së Hetimit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Rumani. Prandaj, duke pasur parasysh atë që u tha më lart, ju lutemi na informoni mbi fazën e zhvillimit të procedurave të sipërpërmendura, ose nëse procedurat e tilla janë përfunduar me një vendim të formës së prerë”, thuhej në letrën e Ministrisë së Drejtësisë.
Një letër të ngjashme autoriteteve rumune Haxhiu ua ka nisur edhe në maj të këtij viti, por për asnjërën prej shkresave nuk ka marrë përgjigje. Nga Ministria kanë thënë për KOHËN se nuk kanë kurrfarë njohurish rreth procedurës së zhvilluar pranë organeve gjyqësore rumune sa i përket këtij rasti, apo nëse kjo procedurë ka përfunduar tashmë me vendim të formës së prerë.
“Meqenëse nuk kishim pranuar ndonjë përgjigje, në fillim të muajit maj 2021, Ministrja i është drejtuar edhe me një shkresë tjetër Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, por deri më sot nuk kemi përgjigje. Andaj, Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë informacion rreth stadit të procedurës penale për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se një ndër arsyet pse nuk është trajtuar kjo çështje ka të bëjë edhe me imunitetin e policëve. Ai thekson se këto nuk janë shkresat e para që i janë nisur Rumanisë për këtë rast e që nuk kanë marrë përgjigje. Ndonëse shkresat e ministres Haxhiu kanë qenë më shumë për qëllim informimi, Miftaraj thotë se Ministria e Drejtësisë edhe para, por edhe pas pavarësisë, u ka dërguar shkresa Rumanisë përmes të cilave ka kërkuar marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Por, ai potencon se trajtimi i këtij rasti nga organet e drejtësisë në Kosovë ka qenë i pamundur, pasi që në atë kohë kompetencë ekskluzive për të hetuar, ndjekur e gjykuar një rast të tillë kanë pasur autoritetet e UNMIK-ut. “Pothuajse çdo kërkesë që i dërgohet autoriteteve rumune nuk do të ketë ndonjë ndikim fare në procedurën penale, sepse policët rumunë të cilët janë të përfshirë, e para, kanë imunitet nga ndjekja penale dhe gjykimi dhe po ashtu do të ishte nonsens që Rumania në njëfarë mënyre t’i dorëzojë të njëjtit në Kosovë për t’u përballur me procedura penale”, ka thënë Miftaraj.
Në mënyrë që kjo çështje të trajtohet nga drejtësia në Kosovë, Miftaraj thotë se duhet të ketë edhe komunikim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në New York për heqje të imunitetit të policëve.
“Nëse do të kishim një pëlqim ose marrje të imuniteti nga zyra në Neë York, pastaj, për të dhënë dëshminë duhet pëlqimi apo vullneti i autoriteteve rumune të cilët në këtë rast janë Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë dhe Ministria e Drejtësisë, se a dëshirojnë që t’u japin në njëfarë mënyre dritën e gjelbër këtyre personave, qoftë për të qenë dëshmitar apo qoftë për të ardhur në Kosovë për të dhënë çfarëdo dëshmie”, ka deklaruar ai.
Për këtë çështje KOHA i ka shkruar edhe Ministrisë së Drejtësisë në Rumani, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.