Rusia raportoi shifër rekorde të të vdekurve nga Covid-19 për të pestën ditë me radhë. Ndërkohë autoritetet po përpiqen të mbajnë nën kontroll një valë të re të rasteve, por situata është përkeqësuar nga shkalla e ulët e vaksinimit të popullsisë.
Më 3 korrik, task-forca kombëtare ruse për koronavirusin raportoi 697 të vdekur për 24 orë, bashkë me 24.400 raste të reja të infektimeve, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Kjo është dita e pestë me radhë që shënohet me rekord të viktimave dhe me numrin më të lartë të infektimeve që nga janari, kur Rusia po përballej me valën e dytë të pandemisë.
Njësoj si disa shtete të tjera, Rusia ka thënë se rritja e numrit të rasteve është shkaktuar nga varianti Delta, i cili është më ngjitës se variantet tjera të koronavirusit.
Zyrtarët rusë thonë se vaksina Sputnik V ofron mbrojtje edhe kundër këtij varianti, ndonëse nuk është e qartë se në çfarë shkalle ekziston kjo mbrojtje.
Disa rajone, përfshirë kryeqytetin Moskë, kanë filluar t’i rikthejnë në fuqi masat kufizuese ndaj restoranteve dhe qendrave tjera publike.
Ndryshe, Rusia vitin e kaluar u bë shteti i parë në botë që miratoi për përdorim një vaksinë kundër koronavirusit. Ky njoftim u dha nga vetë presidenti Putin në gusht të 2020-ës.