Kreu i Komitetit Olimpik të Rusisë, Stanislav Pozdnyakov, akuzoi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) se po mban anë dhe u kërkoi federatave sportive t’i trajtonin garat midis atletëve ukrainas dhe rusëve që garojnë si neutralë me “ndjeshmëri”.
Dy ditë më parë, presidenti i IOC-së, Thomas Bach, ftoi zyrtarisht 203 vende, por edhe jo Rusinë dhe Bjellorusinë, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat do të fillojnë pas një viti.
Bach kishte thënë edhe më parë se as Rusia dhe as aleati i saj në pushtimin e Ukrainës, Bjellorusia, nuk do të ftoheshin si ekipe.
Megjithatë, IOC-ja e ka lënë derën e hapur që atletët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë si atletë neutralë në Lojërat Verore 2024 pa skuadrat e tyre.
IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait, ka akuzuar IOC-në për “standarde të dyfishta” për sugjerimin që atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë në Paris, ndërsa ministri i qeverisë, Oleh Nemchinov, njoftoi në prill se atletët ukrainas nuk duhet të lejohen të konkurrojnë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 nëse rusët marrin pjesë.
IOC kritikoi Ukrainën për “privimin e atletëve të saj nga shansi për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe për ta bërë popullin ukrainas krenar”, dhe e ritheksoi këtë qëndrim në deklaratën e fundit./REL