Ushtria ruse tha të martën se ka vendosur tre bombardues me rreze të gjatë veprimi me aftësi bërthamore në bazën e saj në Siri, një veprim që mund të përforcojë praninë ushtarake të Moskës në Mesdhe.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se tre bombardues Tu-22M3 kanë mbërritur në bazën ajrore Hmeimim, e vendosur në provincën bregdetare të Sirisë të Latakias dhe baza kryesore për operacionet e Moskës në vend.
Ministria tha se ekipet bombarduese do të fluturojnë në një seri misionesh stërvitore mbi Mesdhe. Tupolev Tu-22M3, me emrin e koduar Backfire nga NATO, është një bombardues me rreze të gjatë supersonike me dy motorë i cili është i aftë të mbajë armë bërthamore dhe ka një rreze që tejkalon 5,000 kilometra.
Rusia ka zhvilluar një fushatë ushtarake në Siri që nga shtatori 2015, duke lejuar qeverinë e Presidentit Sirian Bashar Assad të rimarrë kontrollin mbi pjesën më të madhe të vendit pas një lufte shkatërrimtare civile.
Ministria ruse tha se pista në Hmeimim ishte zgjatur për të pritur bombarduesit e rëndë dhe një pistë e dytë është modernizuar.
Rusia gjithashtu ka zgjeruar dhe modifikuar një bazë detare në portin Sirian, Tartus, i vetmi objekt i tillë që ka Rusia aktualisht jashtë ish-Bashkimit Sovjetik.
Si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të forcuar ushtrinë e Rusisë mes tensioneve me Perëndimin, marina ruse në vitet e fundit ka ringjallur praktikën e epokës Sovjetike për të qarkulluar vazhdimisht anijet e saj luftarake në Mesdhe.
Vendosja e bombarduesve shënon herën e parë që nga kohërat e Luftës së Ftohtë që Moska ka vendosur stacione bombarduese në rajon.
Rreth 60 Tu-22M3 vlerësohet të qëndrojnë në shërbim të forcës ajrore ruse dhe disa kanë fluturuar me misione bombardimi për të goditur militantët në Siri nga bazat e tyre në Rusi.
Raportet e mediave ruse thanë që Tu-22M3 mund të modernizohej për të mbajtur raketat më të fundit hipersonike. \ Voa