Mediet ruse në ditët e fundit janë duke njoftuar për hapin e Serbisë, për blerjen e sistemit raketor kinez të mbrojtjes kundërajror FK-3.
Sipas mediave ruse, përcjell Telegrafi, është e pakuptueshme se si Serbia është përcaktuar për sistemin kinez FK-3, në vend të sistemeve ruse S-300 dhe S-400, kur dihet që Serbia zyrtarisht kishte kërkuar nga Rusia që në vitin 2021, ushtria serbe të pajiset me sistemin rus S-300.
Në lidhje me vendimin e Serbisë për blerjen e sistemit kinez FK-3, për mediat ruse është prononcuar edhe drejtori i Qendrës për Analiza të Strategjive dhe Teknologjive, Ruslan Pukhov.
Ai beson që Kina t’i ketë ofruar Serbisë kushte më të volitshme për blerjen e sistemit kinez, pasi që sistemi rus S-400 nuk është sistem i lirë.
Edhe Pukhalo sikurse Potapov e vë në dyshim sistemin kinez i cili është kopje e sistemit rus S-300.
Pukhov e vë në pyetje edhe sinqeritetin e udhëheqësve serbë, ai thotë se gjendja shpirtërore e elitës politike serbe është shumë kontradiktore. Një pjesë e elitës serbe e sheh të ardhmen e Serbisë me Perëndimin.
Për Vuçiq thotë se ndjenjat pro-ruse pasqyrohen në një farë mase, pra jo plotësisht.
Për fund ai e kritikon Serbinë dhe thotë se duhet të përcaktohet, pra të rreshtohet me Perëndimin ose Rusinë.
“Nëse do që të shkojë ka perëndimi, atëherë duhet të armatosen me armatime me standard të NATO-s, ndërsa nëse do të ketë raporte me Rusinë atëherë duhet të blejë pajisje ushtarake nga Rusia”, thotë Pukhov.
Në lidhje me vendimin e Serbisë për blerjen e sistemit kinez dhe tërheqjes nga planet për blerjen e sistemit rus S-300, është shprehur edhe eksperti ushtarak rus, Mikhail Potapov.
Ai thotë se blerja e sistemit rus S-300 do ishte më lehtë të inkorporohet në sistemin e mbrojtjes kundërajrore serbe, kur kihet parasysh që Serbia tani më ka në shfrytëzim sistemin kundërajror rus Pancir-S.
Sipas Potapov, sistemi Pancir-S, është krijuar që të punojë ne një sistem të vetëm me S-400 dhe çfarëdo sistemi tjetër që do të koordinohen në mes veti.
Ai thotë që sistemi kinez FK-3 është kopje e keqe e sistemit rus S-300 dhe ka edhe shumë mangësi. Problem tjetër sipas Potapov është edhe trajnimi i personelit për të përdorur dy sisteme të ndryshme, sistemin kinez FK-3 dhe Pancir-S.
Rusët besojnë që vendimi i Serbisë për blerjen e sistemit kinez mund të jetë edhe formë e presionit ndaj Rusisë, që Rusia të ofrojë çmim më të volitshëm, pasi që është interes i Rusisë që në Serbi të ketë komplekset e saja të mbrojtjes kundërajrore.