Jim Carrey është ndër personazhet e fundit të ndaluar nga Rusia. Moska ka vendosur sanksione ndaj 100 qytetarëve kanadezë duke i ndaluar hyrjen në vend. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme ruse.
Në mesin e të sanksionuarve është edhe nipi i politikanit të ndjerë ukrainas Stepan Bandera dhe autorja Margaret Atwood.
Ministria tha se ndalimet janë pjesë e përgjigjes së “praktikës së vazhdueshme nga regjimi i kryeministrit Justin Trudeau për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqjes ruse, politikanëve dhe parlamentarëve, përfaqësuesve të biznesit, ekspertëve dhe gazetarëve, figurave kulturore, si dhe kujtdo që autoritetet rusofobike kanadeze e konsiderojnë të kundërshtueshme”.
“Në bazë të reciprocitetit, hyrja u është ndaluar 100 shtetasve kanadezë. Mes tyre janë zyrtarë të lartë, biznesmenë, aktivistë, struktura mediatike dhe financiare”, vijon deklarata.
Ministria ka publikuar listën me 100 emra, duke përfshirë, përveç Jim Carrey-n, nipin e Stepan Bandera dhe Caroline Xavier, kreu i Autoritetit të Sigurisë së Komunikimeve të Kanadasë, politikani dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Peter McKay, disa drejtues të Volatus Aerospace dhe qytetarë të tjerë kanadezë.
Disa muaj më parë dy aktorë të tjerë, Sean Penn dhe Ben Stiller, u shfaqën në listën e personave që Rusia ka vendosur t’i ndalojë.
Në listën e gjatë të yjeve që nuk mund të hyjnë në Rusi janë edhe Morgan Freeman, Mark Zuckerberg, Hilary Clinton dhe Alexandria Ocasio-Cortez.