Rusia ka mbledhur më tepër se 100 mijë trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën në javët e fundit, sipas një përllogaritjeje të SHBA-së, duke ngre shqetësimet e Perëndimit dhe të zyrtarëve të Inteligjencës ukrainase se një pushtim pritet të ndodhë.
Ndërsa po vazhdojnë tentimet diplomatike për ta evituar luftën, analistët paralajmërojnë se ushtria ruse paraqet një rrezik imediat për Ukrainën.
Por nëse një pushtim do të ndodhte, nuk është e qartë se nga do të fillonte. Rusia ka rrethuar Ukrainën në tria anët. Në Krime në jug, në anën ruse të kufirit mes dy shteteve, dhe në Bjellorusi në veri.
Ja tri frontet të cilat Ukraina dhe Perëndimi po i përcjellin, dhe ku ka pasur lëvizje ruse në kohët e fundit.
Lindje të Ukrainës
Vëmendja më e madhe po u kushtohet rajoneve separatiste të Donetzkut dhe Luhanskut, ku forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia kanë qenë në konflikt që nga viti 2014.
Supozimet e atyre që vëzhgojnë lëvizjet ruse është se Moska mund ta rrisë edhe më tej fuqinë ushtarake në ato pjesë, duke bërë kështu lindjen e Ukrainës si pjesën më të lehtë e të përshtatshme për ta nisur pushtimin.
Në imazhet satelitore të siguruara nga CNN-i shihet një bazë e madhe në Yelnya, ku kishte tanke ruse, artileri e automjete të blinduara, kryesisht të boshatisura, ku pajisjet në ditët e fundit janë lëvizur dukshëm më afër kufirit.
Një sasi e madhe e armatimit është zhvendosur në bazë në fund të vitit 2021, para se të largohej, përfshirë 700 tanke, automjete të blinduara e pajisje për të lëshuar raketa balistike.
Në videot që kanë qarkulluar në rrjete sociale shihen se disa nga këto pajisje janë lëvizur me anë të trenit apo nëpërmjet rrugëve tokësore më në jug në rajonin Bryansk, që është afër Ukrainës.
Stephen Wood, drejtor i kompanisë “Maxar”, që merret me imazhe satelitore, ka thënë për CNN: “Më duket sikur një sasi e konsiderueshme e mjeteve ushtarake janë zhvendosur”.
Ndërkohë, rritja e aktivitetit në Kursk dhe në Belgorod Oblasts, që është në kufi në verilindje me Ukrainën, ka rritur shqetësimin.
“Po shohim një rritje të madhe të mjeteve dhe personelit në Kursk”, ka thënë Konrad Muzyka, një ekspert i gjurmimit të lëvizjeve ushtarake pranë kompanisë “Rochan Consulting”.
Ai këtë paralajmërim e ka bërë nëpërmjet Twitterit.
Phillip Karber nga Fondacioni Potomac në Washington, po ashtu ka studiuar në mënyrë të detajuar lëvizjet e trupave ruse. Ai i ka thënë CNN-it këtë muaj: “Formacioni më i fortë ofensiv rus ka lëvizur 400 kilometra në jug dhe është vendosur në një zonë optimale për një ofensivë të shpejtë në vijën Khursk – Kiev”.
Bjellorusia
Shqetësimi është rritur edhe për mbledhjen e trupave ruse në Bjellorusi, një shtet që është aleat i ngushtë me Moskën dhe që mund të ofrojë një rrugë tjetër për pushtim të Ukrainës.
Rusia dhe Bjellorusia kanë filluar të enjten një stërvitje të përbashkët ushtarake 10-ditore. Madhësia e kësaj stërvitjeje dhe koha kanë rritur shqetësimin te Perëndimi.
Numri i trupave ruse të mbledhura në Bjellorusi besohet se është më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.
“Afro 30 mijë trupa luftarake, forca të operacioneve speciale Spetsnaz, aeroplanë luftarakë, përfshirë SU-35, raketa Iskander dhe po ashtu sisteme të mbrojtjes S-400, gjenden në Bjellorusi”, kishte treguar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 3 shkurt.
Po ashtu, është numri më i madh i stërvitjeve që forcat e armatosura bjelloruse kanë bërë këtë vit, sipas Qendrës Ndërkombëtare për Studime Strategjike (CSIS).
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se qëllimi i stërvitjeve, të quajtura “Allied Resolve -2022”, përfshinte zmbrapsjen e “agresionit të jashtëm”.
Disa i druhen se kjo mbledhje e trupave është pjesë e planit rus për të marshuar drejt Kievit nga veriu.
Një diplomat evropian ka thënë për CNN më herët këtë muaj se mbledhja e trupave është shqetësim shumë i madh, duke cekur se kjo mund të jetë pjesa që i ka munguar Moskës për ta lansuar një sulm të shpejtë në drejtim të kryeqendrës së Ukrainës.
Ushtrimet e përbashkëta mund të ofrojnë mbulim për lëvizje nga ana e në Bjellorusi dhe në veri të Ukrainës, paralajmëron CSIS.
Dhe imazhet satelitore të publikuara nga “Maxari” tregojnë se ushtria ruse ka avancuar në disa lokacione në Bjellorusi.
Këto zhvendosje me gjasë janë të lidhura me stërvitjen e përbashkët, por fotografitë e tjera tregojnë se po ngrihen kampe në afërsi të kufirit me Ukrainën, qindra kilometra nga vendi ku po bëhen stërvitjet.
Mirëpo, nëse Rusia përqendrohet te kufiri bjellorus si fillim për ta pushtuar Ukrainën, atëherë rruga është mjaft e vështirë.
Ushtarët rusë duhet të kalojnë nëpërmjet Kënetës Pinsk, një nga ligatinat më të mëdha të Evropës, që shtrihet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës – një terren i dendur, i mbytur në ujë dhe me pyje të dendura që shtrihet në një sipërfaqe rreth 270 mijë metra katrorë.
Ky rajon i pengoi forcat naziste gjatë Operacionit Barbarossa në vitin 1941.
Sipas Institutit për Studime të Luftës, “këto këneta mund të jenë të vështira, në disa vende me gjasë të pamundura, të kalohen kur janë tepër të lagështa”.
Krimeja
Gadishulli i aneksuar nga Rusia në vitin 2014 mund të ofrojë një platformë të natyrshme për çdo operacion të ri, por është e paqartë nëse Moska do të tentojë të lansojë një lëvizje për në Ukrainë nga Krimeja.
Një vendosje e madhe e trupave dhe pajisjeve është parë nga “Maxar”, ku janë regjistruar më se 550 tenda të trupave dhe qindra mjete ushtarake që kanë arritur në veri të kryeqendrës së Krimesë, Simferopol.
Kjo vendosje është identifikuar nga “Maxar” për herë të parë të enjten, në afërsi të qytetit Slavne në verilindje të bregut të Krimesë.
Në të njëjtën ditë janë parë edhe disa anije ushtarake ruse duke arritur në Sevastopol, porti kryesor i Krimesë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka postuar foto të enjten të gjashtë anijeve duke arritur në port.
Marina e Ukrainës reagoi duke thënë se Rusia po vazhdon ta militarizojë rajonin e Detit të Zi për të vënë nën presion Ukrainën dhe botën.
Forcat detare të Ukrainës kanë thënë se janë të gatshme për çdo skenarë.
Çdo lëvizje për në jug të Ukrainës mund të ndihmohet nga trupat në Transnistria, një rajon i shkëputur i Moldavisë i mbështetur nga rusët, ku po ashtu janë mbledhur trupa.
Analistët e CSIS-it thonë se trupat ruse mund të provojnë të pushtojnë Odessan, një qytet port ukrainas në veriperëndim të Krimesë, duke “dërguar anijet luftarake drejt në port të Odessas dhe duke u futur direkt në qytet”.
Mirëpo, sipas CSIS-it, ky operacion është i rrezikut të lartë.
Odessa është një qytet mjaft i popullarizuar dhe luftimi në qytet do të favorizonte ata që mbrojnë qytetin, ndërsa forcat ruse duhet të eliminojnë mbrojtjen ajrore ukrainase dhe më pas të lidhen me trupat që arrijnë nga lindja e shtetit.