Rusia: Nuk jemi në bisedime me SHBA për pjesëmarrje në G7

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të shtunën se Moska nuk është në bisedime me Uashingtonin për rolin e saj të mundshëm në një takim të shtatë vendeve më të industrializuara, që pritet të mbahet këtë vit.

Ai nguli këmbë se edhe Kina duhet të jetë e përfshirë në takimin e nivelit të lartë.

Komentet e tij për agjencinë e lajmeve TASS bien ndesh me ato të ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan, i cili i tha të premten televizionit RBC se Uashingtoni është “angazhuar pranë Ministrisë së Jashtme ruse dhe qeverive të tjera të G7-s për të parë nëse Rusia mund të luajë një rol të përshtatshëm për të në takimin e Shtatëshes”.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka hedhur idenë e rikthimit të Rusisë në këtë grup, i cili përfshin ekonomitë më të zhvilluara të botës.

Rusia u përjashtua nga grupi pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Presidenti Trump tha muajin e kaluar se ishte “e logjikshme” që Presidenti Vladimir Putin të ftohej për t’iu ribashkuar Shtatëshes.

Rusia ishte pjesë e këtij grupi, i cili atëherë quhej G8, që nga viti 1997.

Vende të tjera të G7-ës, përfshirë Kanadanë dhe Francën, e kanë kundërshtuar kthimin e Rusisë.

Zëvendësministri Ryabkov tha se mungesa e Kinës nga një samit i zgjeruar i G7-ës do ta bënte të pamundur diskutimin e çështjeve ndërkombëtare.

“Ideja e këtij të ashtuquajturi G7 të zgjeruar ka të meta, sepse nuk është e qartë se si autorët e kësaj nisme planifikojnë ta trajtojnë faktorin kinez”, tha ai.

“Pa Kinën është thjesht e pamundur të diskutosh ndonjë çështje në botën moderne,” u shpreh zyrtari rus.

Në muajin maj, Presidenti Trump njoftoi se do ta shtynte takimin e G7-ës për në shtator ose më vonë, duke e zgjeruar listën e vendeve të ftuara, për të përfshirë aty Australinë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Australia e ka pranuar ftesën e SHBA për të marrë pjesë. /Voa

Share This Article