Një zyrtar i lartë amerikan i Departamentit të Mbrojtjes thotë se muajin e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u takua me Presidentin sirian, Bashar al-Assad në Damask, në përpjekje për të rekrutuar mercenarë sirianë për të luftuar në Ukrainë.
“Me sa kemi kuptuar, Presidenti Vladimir Putin beson se i duhen luftëtarë të huaj për të shtuar numrin gjithsesi të lartë të trupave që ka futur brenda Ukrainës”, tha zyrtari për gazetarët.
Rusia ndërhyri në vitin 2015 në luftën civile siriane, duke ndihmuar Assad-in të ruante pushtetin dhe të shtypte grupet kryengritëse. Të hënën, gazeta amerikane “Wall Street Journal”, tha se Rusia po rekruton sirianë për të marrë pjesë në mësymjen e Kievit. Një rrjet informativ sirian, i drejtuar nga aktivistë, raportoi gjithashtu muajin e kaluar se Rusia po ofronte deri në 200 dollarë për sirianët që donin të shkonin në Ukrainë për një periudhë 6 mujore.
Nga ana e saj, Rusia akuzon Perëndimin se ka rekrutuar mercenarë për të luftuar kundër saj në Ukrainë. Vetë Putin tha se mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po dërgohen në Ukrainë. Presidenti Zelensky u ka barë thirrje të hapur vullnetarëve që duan të ndihmojnë vendin e tij të luftojnë kundër Rusisë. Sipas autoriteteve ukrainase numri i vullnetarëve që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes është 20 mijë.