Kremlini ka pranuar se janë bërë gabime në përpjekjen e tij për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë ruse për të luftuar në Ukrainë, në mes të kundërshtimit në rritje të publikut.
“Ka raste kur shkelet dekreti”, tha zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, duke shtuar se “të gjitha gabimet do të korrigjohen”.
Raporte të shumta thonë se po thirren njerëz pa përvojë ushtarake, ose që janë shumë të moshuar ose me aftësi të kufizuara.
Dekreti i mobilizimit i javës së kaluar ka shkaktuar tashmë protesta të gjera.
Presidenti Putin njoftoi atë që ai e përshkroi si mobilizim të pjesshëm më 21 shtator, me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu që më vonë tha se 300,000 rezervistë do të thirreshin.
Megjithatë, raportet në mediat opozitare ruse treguan se deri në një milion njerëz mund të thirreshin, duke vënë në dukje se një paragraf që besohet të jetë në lidhje me numrin e saktë të rezervistëve të kërkuar ishte hequr (klasifikuar) në versionin e publikuar të dekretit të zotit Putin mbi faqen zyrtare të Kremlinit.
Një numër ekspertësh ushtarakë në Perëndim dhe Ukrainë thonë se vendimi i Putinit për të thirrur rezervistët tregon se trupat ruse po dështojnë keq në fushën e betejës në Ukrainë, më shumë se shtatë muaj pasi Moska filloi pushtimin e saj.
Që nga shpallja e mobilizimit, më shumë se 2,000 njerëz janë arrestuar në protestat në të gjithë Rusinë.