Rusia lëshoi një mori dronësh në drejtim të qytetit-port të Odesës me dalje në Detin e Zi, për të dytën ditë me radhë. Si pasojë u dëmtua një magazinë, u dogjën me dhjetëra kamionë dhe dy persona u plagosën. Sulmet detyruan autoritetet të pezullonin shërbimin e trageteve mes Rumanisë dhe Ukrainës.
Policia kufitare rumune njoftoi se për shkak të sulmeve në Ukrainë, tragetet u ankoruan në brigjet rumune të Danubit, në Isaccea. Po kështu lundrimet po kryeshin përmes Galatit, një qytet rumun në rrjedhën e sipërme të Danubit.
Një ditë më parë Moska kreu një sulm me raketa dhe dronë duke vrarë dy persona në një magazinë gruri në Odesa, e duke dëmtuar rëndë një hotel të braktisur shumëkatësh.
Forcat ajrore të Ukrainës bënë të ditur se kishin rrëzuar 26 nga 38 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Kievi njoftoi gjithashtu se në 24 orët e fundit ishin vrarë nëntë civilë dhe plagosur 15 të tjerë.
Rusia sulmoi me artileri qytetin e Khersonit duke dëmtuar një shtëpi, një shkollë, një treg dhe një fabrikë të përpunimit të ushqimit.
Po kështu ushtria ruse hodhi pesë bomba nga ajri në Robotyne, një qytet në rajonin e Zaporizhias në juglindje të vendit, të cilin Ukraina e rimori në muajin gusht falë kundërsulmit të saj i cili po përparon ngadalë.
Megjithëse asnjëra palë nuk ka publikuar shifrat e viktimave, kundërofensiva besohet se u ka shkaktuar dëme të mëdha të dyja palëve dhe ka qenë shkatërruese për ato qytete e fshatra ku janë zhvilluar luftime.