Shërbimi Federal i Inteligjencës gjermane ka paralajmëruar për një sulm rus ndaj NATO-s para vitit 2029.
Martin Jaeger, kreu i shërbimit BND të spiunazhit, u tha ligjvënësve se Rusia është e vendosur që të zgjerojë “sferën e saj të ndikimit më në perëndim drejt Evropës”.
“Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të supozojmë se një sulm i mundshëm rus nuk do të ndodhë deri në vitin 2029, në rastin më të mirë. Ne jemi tashmë nën sulm”, tha shefi i ri i BND-së, Martin Jäger, në një seancë publike dëgjimore të Panelit të Kontrollit Parlamentar të Bundestagut. Veprimet e Rusisë janë të dizajnuara për të minuar NATO-n dhe për të ndarë shoqëritë. “Për të arritur këtë qëllim, Rusia nuk do të shmangë një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me NATO-n, nëse është e nevojshme.”
Në rastin më të mirë, Evropa po përjeton një “paqe të akullt që mund të shpërthejë në çdo moment në një konfrontim të nxehtë”, tha Jäger. Ai përmendi metodat e Rusisë si manipulim zgjedhor, dezinformim, spiunazh dhe sabotim. “Këto incidente të izoluara, që ndodhin shpesh, përfaqësojnë një nivel të ri konfrontimi”. Evropa, tha ai, po shtyhet drejt vetëshkatërrimit, e paralizuar nga frika dhe inercia.
Së bashku me Jeagerin ishin edhe udhëheqësit e shërbimeve të inteligjencës së brendshme dhe ushtarake të Gjermanisë.
Edhe pse ata përmendën kërcënime të tjera, si ekstremizmi politik dhe fetar, ishte Rusia ajo që mbizotëroi në deklarimet e tyre.
Jaeger tha se Gjermania është “caku numër një i Rusisë në Evropë”, duke pasur parasysh se është ekonomia më e madhe e BE-së dhe luan një “rol udhëheqës në mbështetjen e Ukrainës”.
Paralajmërimet vijnë pas një serie incidentesh në Bashkimin Evropian, përfshirë inkursionin e dronëve rusë në Poloni dhe shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë.
Në Gjermani, Rusia dyshohet se qëndron pas një sërë inkursionesh me dronë së fundi, përfshirë edhe incidente që ndërprerë operimin në Aeroportin e Munihut.