Sipas një raporti të zbulimit amerikan të publikuar të martën, presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë drejtuar personalisht përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, për t’i orientuar ato në favor të kandidatit Donald Trump, një hap që sipas burimeve mund të bëhet shkak për sanksione nga ana e SHBA.
Raporti prej 15 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, u shton kredibilitet aludimeve të mëparshme se disa nga ndihmësit kryesorë të Trump po bënin lojën e Moskës, duke amplifikuar pretendimet e ngritura kundër kandidatit të atëhershëm Joe Biden nga ana e disa figurave ukrainase të lidhura me Rusinë në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ai u shton elemente të reja aludimeve se Putini ose e mbikëqyri personalisht, ose të paktën e miratoi ndërhyrjen në zgjedhje për të favorizuar kandidatin e atëhershëm Trump.
Uashingtoni pritet të vendosë sanksione ndaj Moskës, madje që javën e ardhshme, thanë dy burime që folën në kushte anonimiteti.
Gjetjet lidhur me rolin e Putinit ka të ngjarë të marrin një vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh përfundimet e raportit se politikanë të mbështetur nga Rusia, si deputeti ukrainas Andriy Derkach, bindën disa figura politike amerikane të bëheshin pjesë e fushatës së tyre për të shpifur kundër Biden dhe djalit të tij, Hunter.
Raporti përmend me emër deputetin Derkach, i cili në vitin 2019 takoi avokatin e Trump, Rudy Giuliani, duke thënë se lëvizjet e deputetit ndiqeshin me kujdes, në mos drejtoheshin nga vetë Putini.
“Putini i mbikëqyrte aktivitetet e Andriy Derkach-it,” thuhet në raport. “Edhe zyrtarë të tjerë të lartë morën pjesë në përpjekjet e Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje – duke përfshirë zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare dhe të zbulimit, të cilët vlerësojmë se nuk do të vepronin pa marrë të paktën miratimin e heshtur të Putinit,” thotë raporti.
Demokrati Biden e mundi republikanin Trump në zgjedhje dhe u inaugurua si president në janar.
Edhe më parë, agjencitë amerikane të zbulimit dhe ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller kishin arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 për të shtuar shanset e kandidatit Trump, me një fushatë propagandistike që synonte dëmtimin e kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.
Prokurori Mueller zbuloi kontakte të gjera midis fushatës së Trump dhe Rusisë. Në kohën që ishte president, Trump po ashtu u përball me pyetje rreth lidhjeve të bashkëpunëtorëve të tij me Rusinë dhe me figura ukrainase të lidhura me Rusinë. Në vitin 2019, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza për shkarkimin e Presidentit Trump, të cilat buronin nga kërkesa e tij që Ukraina të hetonte Biden dhe djalin e tij Hunter.
Agjencitë e zbulimit amerikan identifikuan edhe tentativa të tjera për të ndikuar te votuesit, duke përfshirë një “fushatë ndikimi të fshehtë shumëplanëshe” nga ana e Iranit, që synonte të ulte mbështetjen për Trump.
Kur ishte president, Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore shumëpalëshe me Iranin dhe vendosi sanksione të reja kundër Teheranit.