Space Foundation, një OFJ, iu bashkua asaj që ka filluar të njihet si rusofobia, pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Space Foundation hoqi emrin e Juri Gagarin, astronautit të parë që doli në hapësirë, nga emërtimi i një eventi për mbledhje fondesh. Ajo njoftoi se “në dritën e ngjarjeve aktuale botërore” do të ndryshojë emrin e evenimentit nga “Nata e Yurit” në “Një festë për hapësirën”.
“Fokusi i kësaj ngjarjeje për mbledhjen e fondeve mbetet i njëjtë – për të festuar arritjet njerëzore në hapësirë, duke frymëzuar gjeneratën e ardhshme për të arritur tek yjet”, thuhet në njoftimin që tashmë është fshirë.
Një vendim i tillë nuk mund të konsiderohet solidaritet me Ukrainën, veçanërisht duke pasur parasysh që Gagarin punoi për Bashkimin Sovjetik, një vend krejtësisht i ndryshëm nga Rusia e sotme. Dhe për më tepër, Gagarin gëzon edhe popullaritet të madh në Ukrainë.
Një pullë postare në Ukrainë e vitit 2011 përkujtonte 50 vjetorin e fluturimit të tij pionier në hapësirë. Dhe stadiumi i Chernihiv-it, i bombarduar së fundmi, u riemërua nga sovjetikët si “Stadiumi Yuri Gagarin” në vitet 1960. Tifozët i referohen ende me atë emër, pavarësisht një emri të ri zyrtar.
Në një postim të botuar vitin e kaluar në lidhje me marrëdhëniet shpesh të anashkaluara të Gagarinit me Ukrainën, Instituti Politeknik Igor Sikorsky i Kievit vuri në dukje se gjatë vizitës së tij të parë dhe të vetme në kryeqytet në vitin 1966, kozmonauti e vlerësoi kryeqytetin e Ukrainës, pjesë e BRSS në atë kohë.
Nuk mund të mos përmendet fakti që bashkëpunimi hapësinor midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka çuar në dekada uniteti të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe kërkime shkencore, edhe pse politika, me raste, e ka tendosur këtë aleancë delikate.