Pak ditë më parë, këngëtarja me prejardhje nga Kosova, e famshme botërisht, Dua Lipa – ka marrë nënshtetësinë shqiptare.
Ajo u nderua nga krerët e shtetit shqiptar pak ditë para 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe u betua si qytetare e re e vendit para kryebashkiakut Erion Veliaj.
Dua tash përveç se është shtetase e Britanisë së Madhe, disponon edhe atë të Shqipërisë, por jo edhe të Kosovës. Kështu të paktën tregoi ajo gjatë konferencës së mbajtur para koncertit të madh në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.
Megjithatë, Klankosova u interesua dhe pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, për numrin e kosovarëve që kanë aplikuar për nënshtetësi shqiptare.
Në një përgjigje thuhet se 1 mijë e 906 shtetas kosovarë kanë aplikuar këtë vit për fitim të shtetësisë shqiptare.
“Sa i takon numrit të shtetasve kosovarë që kanë aplikuar për fitim të shtetësisë shqiptarë në vitin 2022 është 1906 shtetas”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Pra, 1906 shtetas nga Kosova kanë kërkuar të pajisen me pasaporta shqiptare, me të cilën mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, pasi me atë të vendit tonë është e pamundur, por jo edhe gjatë.
Sot, ambasadorët e BE-së i kanë dhënë dritën jeshile për ta çuar përpara procesin e liberalizimin të vizave për Kosovën.