Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e para eliminatore për “Euro 2020” që luan ndaj Turqisë dhe Andorrës.
Te kuqezinjtë, pas një kohe të gjatë, është kthyer sulmuesi, Armando Sadiku, i cili shprehu besimin e tij për marrjen e rezultateve pozitive në këto dy ndeshje.
“Jam rikthyer pas 1 viti. Jam i lumtur, me energji dhe pozitivitet. Mezi po pres të jap më të mirën time dhe të kthehem te goli. Kemi treguar që nëse luajmë si grup marrim rezultatet pozitive. Ka munguar goli, shpresoj që me rikthimin tim të arrij të shënoj dhe të marrim atë që të gjithë shqiptarët presin”, u shpreh Sadiku.
“Kur vjen me Kombëtaren është diçka tjetër. Është një ndjenjë që e ke përjetuar që fëmijë. Është një gjë shumë e veçantë”, shtoi ai.
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Turqisë në 22 mars në Loro Borici të Shkodrës, më pas do të udhëtojë drejt Andorrës, ndaj së cilës do të luajë më 25 mars.