Nga Besian Gjika
Të shtunën e 3 qershorit në zyrën e shoqatës “Iliria” në Saint Louis u zhvillua festa e abetares dhe mbyllja e vitit shkollor. Kjo festë është shumë e rëndësishme për fëmijët dhe vetë vetiu përmban emocion. Ishte shumë e lehtë ta dalloje atë tek secili prej tyre teksa pëshpëritnin si zogj të vegjël vjershat të cilat u kishte shpërndarë mësuesja për t’i mësuar.
Aktiviteti u drejtua me shumë elegancë e thjeshtësi nga anëtarja e shoqatës znj. Nexhi Sula. Për të pranishmit në fillim u luajt e këndua himni kombëtar shqiptar dhe pas tij fjalën e parë për të pranishmit e mbajti kryetari i shoqatës, z. Besian Gjika.
Pasi bëri një përmbledhje të përgjithshme të mbarëvajtjes së shkollës shqipe dhe projekteve të shoqatës në këto dy vite që prej fillimit të saj në gusht të vitit 2021, theksoi rëndësinë dhe seriozitetin që duhet të kenë të gjitha angazhimet që kanë të bëjnë me fëmijët.
Pas hapjes së shkollës dhe krijimit të ekipeve sportive, bordi drejtues do të fokusohet të realizojë brenda këtij viti krijimin e një biblioteke me libra të ndryshëm mësimor dhe letrar duke u dhënë më tepër mundësi nxënësve të ekspozohen me leximin në gjuhën shqipe. Në fund të fjalës së tij falenderoi të katër trajnerët e futbollit që janë angazhuar me fëmijët që prej vitit të kaluar dhe në veçanti mësuesen e shkollës shqipe znj. Rafaela Hajdini e cila e vetme arriti këtë vit shkollor të përgatiste programin për klasën e parë dhe të dytë, sëbashku me mësimdhënien. Më tej fjalën e mori nënkryetari z. Xhevat Dullovi njëkohësisht edhe prind i një nxënëse. Ai bëri një rezyme të punës gjatë këtyre dy viteve ku ndër të tjera, theksoi edhe përfitimin që marrin të gjithë fëmijët nga mësimi i gjuhës shqipe në shkollë duke u bazuar në shembuj konkretë. Duke qenë vetë nga Kosova, ai tregoi edhe peripecitë e kaluara në mësimin e shqipes në kohën kur Kosova ishte nën sundimin serb dhe fjalë inkurajuese për të gjithë prindërit që të mbështesin këtë nismë sa të çmuar dhe po aq të rëndësishme për brezat në vazhdim. Një fjalë falenderuese dhe përshëndetëse për prindërit dhe të ftuarit beri në fund edhe mësuese Rafaela. Fjala saj u prit me shumë ngrohtësi dhe respekt nga të pranishmit duke marrë duartrokitje të shumta.
Aktiviteti vazhdoi me recitimet e nxënësve të përgatitura me shumë kujdes nga mësuesja. Në fillim u bënë recitime në grup dhe më pas në mënyrë individuale duke përfshirë të gjithë gërmat e alfabetit. Emocionet e recitimit ndiheshin në fillim tek nxënësit por me kalimin e kohës treguan siguri dhe pas përfundimit të programit në fytyrat e tyre të çiltërta dallohej qartësisht gëzimi.
Për nxënësit Pastiçeria Bello kishte përgatitur një tortë speciale me gërmat e alfabeti sëbashku me embëlsira të tjera e pije freskuese ndaj gjejmë rastin ta falenderojmë nga zemra pronarin e saj z. Arben Bello për të gjitha dhuratat që bën sa herë shoqata ka aktivitete.
Në fund bordi drejtues falenderon me shumë konsideratë të gjithë prindërit që i sjellin fëmijët në shkollë dhe mbështesin kauzat kombëtare sëbashku me të gjithë dhuruesit bashkëpatriotë prej të cilëve bëhet e mundur edhe funksionimi i shoqatës dhe programeve të tjera.