Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar takimin e zhvilluar dje nga disa prej anëtarëve më të votuar të Partisë Demokratike, mes të cilëve Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti.
Berisha nuk u shpreh i shqetësuar për këtë takim, ndërsa theksoi se personat më të votuar të listave të hapura janë persona të nderuar dhe me kontribute të pamohueshme në PD dhe se mendimi ndryshe në parti janë gjëja më normale.
Megjithatë ai theksoi se këta persona kanë instancat e tyre për të shprehur mendimet, duke përmendur se Ervin Salianji është anëtar i Kryesisë së PD, ndërsa Ilir Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Bashkinë e Tiranës.
Berisha shtoi se ai mirëpret çdo demokrat në zyrë, duke nënvizuar se secili prej tyre është i ftuar të shprehë mendimin.
“Unë i shqetësuar? Jo. Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres cdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë”, u shpreh Berisha.




