Në Vilnius të Lituanisë mbahet një ndër samitet më të rëndësishëm të historisë së NATO-s. Liderët e vendeve anëtare zhvillojnë bisedime, të cilat mund t’i japin një formë të re luftës në Ukrainë dhe të ardhmes së aleancës ushtarake perëndimore.
“Për çështjen e anëtarësimit, pres gjithashtu që aleatët të dërgojnë një mesazh të qartë dhe pozitiv në rrugën përpara drejt anëtarësimit për Ukrainën. Unë kam propozuar një paketë prej tre elementësh me mbështetjen më praktike me një program shumëvjeçar për të siguruar ndërveprim të plotë mes forcave ukrainase dhe forcave të NATO-s. Kjo do ta afrojë Ukrainën më pranë NATO-s.”
JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO
31 vendet anëtare, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe disa shtete aleate që po marrin pjesë në samit, kërkojnë që t’i tregojnë armikut të përbashkët, Rusisë, të gjithë forcën e NATO-s, për të mos shkelur vijën e kuqe, atë të një lufte bërthamore.
“Retorika bërthamore e Rusisë është e rrezikshme dhe e pamatur. Rusia duhet të dijë se lufta bërthamore nuk mund të fitohet kurrë dhe nuk duhet të ndodhë kurrë. Aleatët e NATO-s sigurisht që po monitorojnë nga afër atë që po bën Rusia. Ne dënojmë njoftimin se Rusia do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.”
JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO
Një temë e rëndësishme që pritet të diskutohet është ajo e forcimit të mbrojtjes së NATO-s, veçanërisht kahut lindor që në pjesën më të madhe ndan një kufi me Rusinë. Samiti duket premtues, marrë shkas nga fakti që rezultatet janë arritur, me Turqinë që pranoi të heqë veton e saj për pranimin e Suedisë në aleancë, në këmbim të mbështetjes për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe liberalizimin e vizave.
Edhe Hungaria, që se ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO, konfirmoi se do ta votojë në parlamentin e saj. Eventi që bën bashkë njerëzit më të fuqishëm të planetit, po mbahet në Lituani, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Bjellorusisë dhe enklavës ruse, Kaliningrad.
Për shkak të rrezikut të lartë, niveli i sigurisë është tepër i lartë me mbi 12 mijë policë, ushtarë dhe agjentë të fshehtë të angazhuar, bashkë me sistemet e fuqishme të mbrojtjes ajrore, patriot.