Albania
Samiti i III-të i Diasporës / Ministrja Koçiu premton bashkëpunim me mjekët e diasporës për ofrimin e standardeve evropiane për qytetarët.
Samitit i III-të i Diasporës që po mbahet në Tiranë, ka bërë bashkë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, si nga Kosova, Spanja, SHBA-të, Holanda, Italia, Anglia dhe Greqia për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperienca për rolin e mjekut, zhvillimi teknologjik në fushën e shëndetësisë dhe inovacioni shëndetësor,
Në Panelin e Ministrisë së Shëndetësi dhe Mbrojtjes Sociale, “Shkëmbimi i eksperiencës, kontributi dhe roli i mjekëve nga Diaspora në Shqipëri”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideroi të rëndësishme mbajtjen e këtij Samiti.
Koçiu theksoi se ky potencial i jashtëzakonshëm mund të shndërrohet në një urë lidhëse mes mjekëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri, siç është turizmi shëndetësor.
“Që prej pandemisë e cila ishte një nga sfidat që vuri sistemin shëndetësor në një sfidë të jashtëzakonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, numri i turistëve që vijnë në Shqipëri për turizëm shëndetësor është dyfishuar çdo vit. Shfrytëzimi i potencialeve të turizmit mjekësor nuk është vetëm një fjalë, por objektiv i lindur nga nevoja e kohës dhe e zhvilluar në një strategji të mirëfilltë pjesë e programit madhor të qeverisë shqiptare për Diasporën 2021-2025”, nënvizoi Koçiu.
Ajo vuri në dukje se një ndër objektivat kyç të strategjisë për shëndetësinë është rritja e autonomisë spitalore ku në Shqipëri është duke u zhvilluar vetëm prej pak vitesh.
“Zgjerimi i autonomisë spitalore për ne mendoj që do të krijojë hapësira të reja dhe të natyrshme për të gjithë mjekët kudo punojnë e kudo jetojnë. Shembulli i mirë në rastin e Shqipërisë është ai i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit i cili ka filluar të aplikojë autonominë spitalore dhe është një program, një projekt të cilin ne synojmë që ta shtrijmë në të gjitha spitalet tona. Modeli i zbatuar atje, ai i një menaxhimi të pavarur nga stafi i mjekëve dhe vizitues turq dhe stafi mjekëve rezident vendas, ka vendosur një gur themeli të ndryshëm dhe një mendësi e një qasje të re të menaxhimit të spitaleve shqiptare”, deklaroi ministrja.
Koçiu shprehu bindjen dhe besimin se: “nuk do të jetë dita e largët kur të gjitha spitalet tona do të funksionojnë bazuar në këtë model dhe në një menaxhim të integruar të mjekëve të diasporës ne rolin e mjekut vizitues dhe kolegëve të tyre rezident këtu në Shqipëri”.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu u ndal edhe në prioritetet e buxhetit 2024 i cili i jep mundësinë sektorit të shëndetësisë të vazhdojë financimin e reformave transformuese, fuqizimin e mëtejshëm të shërbimit mjekësor, rritjen e vazhdueshme të mbulimit universal si dhe programet jetëshpëtuese dhe parandaluese.
Gjithashtu, ministrja u ndal edhe te vijimi i rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët
“Sot Shqipëria nuk është më vend apo një ndër vendet me pagën mesatare më të ulët në sektorin e shëndetësisë, por është një vend që paguan më mirë se shumica e vendeve të rajonit dhe që prek nivelin e disa prej vendeve të Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo.
Ministrja nënvizoi se “nga viti i ardhshëm pagat do të vijojnë të rriten për mjekët e familjes dhe për infermierët, ndërsa vit pas viti e hap pas hapi do të jetë akoma më i shtuar kontributi për shoqërinë dhe parashihet që gradualisht ne të ndjekim edhe vrullin edhe ritmin e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka një listë të gjatë të të gjithë atyre që duhen bërë, nuk do të humbim kohë në realizimin e të gjithë këtyre objektivave që i kemi vënë vetes dhe do ta bëjmë akoma më të mundur, dhe ky është një premtim, bashkëpunimin dhe përfshirjen e mjekëve të diasporës në ofrimin e standardeve evropiane për qytetarët tanë, ashtu siç në fakt qytetarët tanë e meritojnë”, u shpreh ajo.
Ministrja e mbylli fjalimin me një shprehje që sipas s’ia është mishërimi i asaj që mjekët shqiptarë të diasporës me mjekët shqiptarë në vendin tonë qasen më mirë: Trupi i njeriut është një shtet i individëve të barabartë, një shtet demokratik i qelizave, një federatë që mbijeton, përparon për shkak të varësisë së ndërsjelltë që kanë këto qeliza nga njëra tjetra, njësoj edhe ne shqiptarët”.



Albania
Dallgët rrezikojnë përplasjen e tragetit, rreth 1000 pasagjerë priten të udhëtojnë me këtë linjë drejt Italisë
Porti i Vlorës vijon të mbetet i ekspozuar ndaj motit të keq pasi kalata ku ankorohen tragetet sa here ka det me dallge rrezikon përplasjen e tragetit.
Sot trageti “European Star” ka arritur të hyjë në kalatë e portit me ndihmën e rimorkiatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, trageti pritet të niset drejt Italisë, ndërsa procesi i imbarkimit do të fillojë menjëherë. Rreth 1000 pasagjerë pritet të udhëtojnë me këtë linjë.
Ndërkohë, kompania bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë pasagjerët për çdo ndryshim të mundshëm të orarit të lundrimit, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit.
Albania
Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit
SHARE
Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën.
Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore.
Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale.
Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave.
Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024.
Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%.
Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.
Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.
Edhe në vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme.
Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut.
Monitor
Albania
Programi, “take-away” pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme
Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.
Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.
Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.
Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.
Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.
Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.
Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.
Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
