Hungaria do të sigurojë që Presidenti rus Vladimir Putin të mund të hyjë në vend për samitin me Presidentin e SHBA-së Donald Trump të planifikuar në Budapest.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban e ka bërë të qartë se nuk do ta arrestojë Vladimir Putinin (i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale), nëse ai mbërrin në Budapest për bisedime paqeje.
Duke folur për radion shtetërore Orban përshëndeti faktin që vendi i tij do të priste takimin.
“Budapesti është në thelb i vetmi vend në Evropë sot ku mund të mbahet një takim i tillë, kryesisht sepse Hungaria është pothuajse i vetmi vend pro paqes“, tha Orban.
Kryeministri ka ngadalësuar vazhdimisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën, duke e karakterizuar kundërshtimin e tij si gjeste paqebërëse. Ai gjithashtu mirëpriti udhëheqësin izraelit Benjamin Netanyahu në Budapest në prill pavarësisht një urdhër-arresti të GJND-së për krime të dyshuara lufte në Gaza.
Qeveria gjermane lëshoi një kujtesë se Hungaria ishte e detyruar të arrestonte Putinin pasi mbetet nënshkruese e GJND-së, por pak presin që Budapesti t’i kushtojë vëmendje.
Putini u shtua në listën e sanksioneve të BE-së në shkurt të vitit 2022, menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, por iu nënshtrua vetëm një ngrirjeje të aseteve, në vend të ndalimit të udhëtimit. Në atë kohë, zyrtarët bënë këtë përjashtim të pazakontë duke pasur parasysh skenarin e mundshëm të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës. Pastaj, në mars të vitit 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Putinin për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas. Të gjithë nënshkruesit e GJPN-së janë të detyruar të arrestojnë presidentin rus nëse ai mbërrin në tokën e tyre. Hungaria më parë ka lënë të kuptohet se do të refuzojë dhe ka thënë se synon të largohet nga gjykata.