Prishtina dhe Beogradi janë tema kryesore në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ndërsa Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk ka pranuar të takohet me atë të Serbisë.
“Prishtina nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb, edhe pse ne gjithmonë dëshirojmë bisedime. Më duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush është përgjegjës për problemet në Kosovë”, tha Vuçiç.
Ndalur te takimi me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz gjerman, Vuçiç tha se do të diskutojë me ta sesi mund të shkohet drejt qetësimit të situatës, por shtoi se më me rëndësi është si të shmangen “provokimet” në të ardhmen.
“Unë do të flas për këtë me Macron dhe Scholz. Çështja është se si të shmangen provokimet në të ardhmen. Formimi i Asociacionit, për të cilën është rënë dakord 10 vjet më parë, por nuk është arritur. Është shumë e thjeshtë dhe mendoj se të gjithë jemi dakord për këtë. Njerëzit tani kanë një pasqyrë reale të asaj që po ndodh në Ballkan, pavarësisht se kush e ka njohur dhe kush nuk e ka njohur Kosovën dhe Metohinë. Ne jemi etiketuar gjithmonë si fajtorët, por mendoj se tani të gjithë e shohin se gjërat nuk janë aq të thjeshta”, tha ai.