Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të vetëdijshme për çështjen e sanksioneve që duhet të zbatohen kundër Rusisë, por vendimi përfundimtar do të merret nga Presidenti Donald Trump.
“Epo, ne i kuptojmë plotësisht sanksionet që kemi në dispozicion dhe në një moment presidenti mund të vendosë ta bëjë një gjë të tillë”, tha Rubio, duke iu përgjigjur pyetjes se sa kohë i duhet Trumpit për të vendosur kufizime.
Sipas Rubios, vendimi për sanksionet do të varet nga presidenti amerikan ndërsa theksoi se “ky vendim do të merret prej tij dhe se ai nuk do të shkojë dhe të shpallë artificialisht një afat kohor”.
Në të njëjtën kohë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së kujtoi se Trump pret që të njëjtin vendim të marrë edhe Europa.
“Ka ende vende në Evropë që blejnë produkte ruse, përfshirë naftën ruse. Dhe ajo që Presidenti i ka sfiduar partnerët tanë evropianë është që të vendosin vetë sanksionet që na kërkojnë të vendosim. Pra, nëse ndihen thellësisht të përkushtuar ndaj kësaj, duhet ta marrin – ne duam t’i inkurajojmë ata që të bëjnë vërtet gjërat që na kërkojnë të bëjmë”, tha Rubio.