Sardenja është aktualisht zona më e goditur nga zjarret në Itali. Teksa veriu i vendit po përjeton mot të keq me stuhi shiu dhe bore në disa zona, ishulli mesdhetar nga veriu në jug është i rrezikuar nga flakët.
Zjarret kanë bërë që qindra banorë të evakuohen, dhjetëra hektarë tokë bujqësore dhe agrume të digjen, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë nga toka dhe nga qielli.
Sipas mediave vendase gjashtë ekipe zjarrfikëse me 30 burra dhe 12 automjete po punojnë në terren, ndërsa qeveria ka angazhuar edhe flotën e avionëve Super Puma dhe helikopterët rajonale, plus disa Canadair në këtë operacion.
Situatë shumë e rëndë gjatë pasdites është shënuar në Monte Longu di Posada, Siniscola dhe vendpushimit bregdetar të La Caletta.
Presidenti i Rajonit Christian Solinas ka kërkuar nga Mbrojtja Civile Kombëtare të forcojë flotën ajrore kundër zjarrit dhe bën thirrje për aktivizimin e mekanizmit evropian të mbrojtjes civile.
Ndërkohë, nga Roma vjen një vendim zyrtar për rritjen e dënimeve me burg për zjarrvëniet e qëllimshme. Ministrat e kanë firmosur vendimin para se të nisin pushimet duke bërë ndryshime në dispozitat e nenit 423-bis të kodit penal.
Minimumi ligjor për ata që shkaktojnë zjarr në pyje ose në fidanishte pyjore të destinuara është rritur nga katër në gjashtë vite burg.