Parlamenti Evropian pret fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, theksoi kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, në konferencën për shtyp për Bregzitin duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur se çka domethënë Bregziti për politikën e zgjerimit të BE-së, kryetari Sasoli përkujtoi se para disa ditëve realizoi takim me të gjithë spikerët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Shpresojmë se do të mund të fillojmë negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pozicionin tonë ju e dini mirë. Është e nevojshme që të hymë në dialog, na presin aq shumë ndryshime, ekonomike, sociale, të sigurisë të cilat na prekin të gjithëve, dhe bisedimet me kryetarët ishin shumë të rëndësishme”, deklaroi Sasoli.
Kryetari i shtëpisë evropiane parlamentare dërgoi porosi edhe te euroskeptikët në Britani, por edhe në Bashkimin Evropian.
“Ka forca të cilat tentojnë ta dobësojnë BE-në, cila është agjenda e tyre? Ne jemi ekonomia më e madhe në botë dhe dëshirojmë që të vendosen rregulla sepse rregullat na ndihmojnë që t’i mbrojmë qytetarët më të ndjeshëm, pa rregulla sundon ligji i xhunglës, pa rregulla më të prekurit do të shtypen nga më të fuqishmit, e ky nuk është Bashkimi Evropian”, deklaroi Sasolli duke shkaktuar një duartrokitje të zëshme në sallën e konferencave.