Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të shtunën se Gjermania dëshiron ta ketë mbështetjen e Indisë, ose të paktën të mos i pengojë përpjekjet e Perëndimit për ta bllokuar Rusinë në vazhdimin e luftës shkatërruese kundër Ukrainës.
Pas bisedimeve me kryeministrin indian, Narendra Modi, Scholz ka përmendur se shtetet në zhvillim janë duke u dëmtuar nga bllokadat në energji dhe ushqim, si pasojë e luftës, dhe shpreson që India do të ndihmojë në sigurimin e furnizimeve kritike në Azi, Afrikë dhe kontinentin amerikan.
Modi është deklaruar me kujdes, duke thënë se India dëshiron që t’i jepet fund konfliktit, përmes dialogut dhe diplomacisë, shkruan REL.
“India është e gatshme të kontribuojë në çfarëdo iniciative për paqe”, ka thënë ai.
Ai është përmbajtur nga kritikat shtesë ndaj Rusisë, pasi Moska e furnizon Indinë me armë dhe naftë në sasi të mëdha.