Kreu i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer i bën thirrje Departamentit të Shtetit të përpiqet me të gjitha mënyrat për të mbështetur marrëveshjen për reformën zgjedhore në Shqipëri, si dhe kërkesën e diasporës shqiptare për të drejtën për të votuar nga vendet ku jetojnë.
Në një letër dërguar të hënën Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Senatori demokrat Chuck Schumer shkruan se “si senatori më me eksperiencë nga Nju Jorku, ku ka një komunitet të madh shqiptaro-amerikan dhe si përkrahës prej kohësh i demokracisë dhe vetvendosjes në Shqipëri dhe Balkan, ju shkruaj për të shprehur mbështetje për përpjekjet e fundit për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri, një ndër demokracitë më të reja në Evropë”.
Senatori Schumer e cilëson marrëveshjen që premton “të përmirësojë transparencën në administrimin e zgjedhjeve, depolitizimin e numërimit të votave dhe më shumë zgjedhje pa ndërhyrje në procesin elektoral” një hap të rëndësishëm përpara për Shqipërinë drejt shndërrimit në një demokraci plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian.
Zoti Schumer bën thirrje që Departamenti i Shtetit, në veçanti Zyra për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, të mbështesë publikisht reforma të mëtejshme, përfshirë të drejtën e diasporës për të votuar që t’i ofrojnë më shumë ndikim edhe “një milion shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, përfshirë ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara”.
“Në përputhje me praktikën në mbi 150 vende në të gjithë botën, përfshirë thuajse të gjitha vendet evropiane, shqiptaro-amerikanët duhet të kenë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje” nga vendet ku jetojnë aktualisht.
Senatori Schumer shkruan se shqiptaro-amerikanët pasurojnë shoqërinë amerikane, janë krenarë për trashëgiminë e tyre dhe duhet të kenë të drejtën të shprehin opinionin e tyre në çështje që prekin atdheun e tyre, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.
“Në emër të elektoratit tim shqiptaro-amerikan, ju nxis të mbështesni këto reforma shumë të rendësishme dhe të nevojshme të demokracisë në Shqipëri,” shkruan Senatori Churck Schumer në mbyllje të letrës drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.
Në Shqipëri, palët politike arritën në fillim të muajit marrëveshje për reformën zgjedhore. Zgjidhja erdhi pasi u kapërcye ngërçi që lidhej me një prej rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it, lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore.
Por deputetë të opozitës parlamentare kanë thënë se mund të mos miratojnë në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik.
Ata kërkojnë depolitizimin e komisioneve zgjedhore, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe votimin e emigrantëve./VOA/