Të paktën 20 persona kanë mbetur të vdekur nga përplasja mes një autobusi dhe një kamioni mallrash në pjesën lindore të Guatemalës të shtunën. Mjekët njoftuan se në mesin e viktimave ishte edhe një fëmijë 7 vjeç.
Presidenti i porsazgjedhur i këtij shtetit, Alejandro Giammattei, u shpreh i pikëlluar për viktimat përmes një postimi në Twitter.
Aksidenti i rëndë ndodhi afër qytezës Gualan, afër bregdetit të Atlantikut. Merret vesh se autobusi ishte duke udhëtuar drejt qytetit Santa Elena, afër kufirit me Meksikën.
Ende nuk dihet shkaktari i aksidentit, por autoritet pritet t’i nisin hetimet për rrethanat e fatkeqësisë.
Guatemala është një shtet i vogël, i shtrirë në pjesën jugore të Amerikës Veriore. Ajo ka dalje në Oqeanin Paqësor dhe Oqeanin Atlantik, shkruan “Reuters”.