Qyteti amerikan i Milwaukee është tashmë shtëpia e kullës më të lartë të drurit në botë. Por një tjetër rrokaqiell prej druri, edhe më i lartë, mund t’i shtohet horizontit të tij, i projektuar nga studioja me bazë në Vankuver, Michael Green Architects (MGA).
Firma publikoi së fundmi planet për një kullë 55-katëshe të bërë kryesisht nga druri. Nëse ndërtohet, do të rrëmbente vendin e kullës 25-katëshe Ascent, si dhe do të bëhej ndërtesa më e lartë në shtetin e Wisconsin.
Ndonëse përdorimi i lëndës drusore masive po rritet vazhdimisht në mbarë botën, ai ende nuk ka arritur të përputhet me lartësinë e madhe të ndërtesave të bëra prej betoni dhe çeliku.
Aktualisht, sektori i ndërtimit përbën 37% të emetimeve globale, pjesa më e madhe për shkak të prodhimit dhe përdorimit të materialeve të tilla si betoni dhe çeliku, të cilët janë emetues masiv të karbonit.
Pemët janë e kundërta dhe nëse shndërrohen në lëndë drusore masive dhe përdoren për ndërtim, karboni “mbyllet brenda” për sa kohë do të qëndrojë ndërtesa.
Megjithatë edhe ndërtimi me dru ka sfidat e veta, por shpresa e kompanisë ndërtuese është se kulla Milwaukee do të nxisë arkitekturën që mbetet miqësore me klimën dhe natyrën.