Kanë arritur në Kuvendin e Kosovës e ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati si dhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves.
Sot për të 52-në herë do të mblidhen deputetët për konstituimin e Kuvendit, proces ky që nuk është përmbyllur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit për shkak të mosmarrëveshjeve të partive parlamentare.
Ndërkaq, një ditë më parë Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, gjersa kryesuesi po ashtu ka vënë si pikë të rendit të ditës formimin e një Komisioni që do të mundësonte votim të fshehtë në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në anën tjetër, partitë tjera, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërsa po ashtu çështja e Komisionit zgjedhor nuk po arrihet në mungesë kuorumi.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe.