Wes Streeting ka sfiduar kryeministrin Keir Starmer dhe ka sugjeruar se Britania duhet të jetë në union doganor me Europën, pasi të dhënat e një sondazhi për gazetën “The Times” kanë treguar se tetë nga dhjetë votues të Partisë Laburiste e mbështesin këtë veprim, ka raportuar të hënën (22.12.2025) vetë gazeta londineze “The Times”.
Komentet e sekretarit të Shëndetësisë do të shihen si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Starmerit, i cili e ka përjashtuar dy herë gjatë muajit të kaluar ndryshimin e politikës për bashkim doganor.
Burime qeveritare akuzuan Streetingun se “i ka çelur letrat” për sfidë lidershipi në një intervistë për gazetën, pasi sondazhet sugjeruan se politika e tij europiane do të kishte mbështetjen dërmuese të votuesve që i dhanë Partisë Laburiste fitoren e saj.
Sondazhi i kryer nga “YouGov” për gazetën “The Times” ka spikatur se 80 % e atyre që mbështetën Partinë Laburiste në zgjedhjet e fundit, mendojnë se një udhëheqës i ri duhet të heqë dorë nga politika ekzistuese e qeverisë dhe të negociojë një marrëveshje bashkimi doganor me BE-në. Sondazhi ka treguar se ka pasur mbështetje për këtë veprim edhe në mesin e votuesve të partive të tjera.
Starmer e ka përjashtuar atë duke thënë se unioni doganor është “vijë e qartë e kuqe” për partinë dhe se do të zhbënte marrëveshjet tregtare të arritura nga qeveria me Indinë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Duke qenë se kemi arritur marrëveshje të rëndësishme tregtare me vende të tjera, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk është e arsyeshme të zbulojmë atë që është në fakt marrëveshja më e mirë me SHBA-në që ka pasur ndonjë vend”, u ka deklaruar ai deputetëve.
Megjithatë, në një intervistë për “The Observer”, Streeting ka theksuar se unioni doganor do t’i jepte partisë një mesazh të veçantë për t’u përballur me partinë “Reforma” në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne nuk do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme duke u përpjekur ta tejkalojmë Reformën”, ka deklaruar ai. “Ne nuk jemi këta. Këto nuk janë vlerat tona dhe ne duhet t’i mposhtim ato, jo t’u bashkohemi atyre”.
Ai i ka thënë gazetës se Britania ka pësuar “goditje të madhe ekonomike” nga Brexit-i.




