Në dosjen e SPAK për drejtorët e Bashkisë që patën ngritur një kompani në vitin 2016, me anë të cilës kullufitën plot 22 tendera me vlerë mbi 20 milionë euro, raportohet edhe biseda e një punonjësje të kompanisë 5D që ka bërë shumë bujë. Ajo thotë: “Këtë hotelin po e bëjmë ne. Është aksioner pronari jonë, Lali Eri e këta. Dhe unë marr vetëm 600 mijë lekë të qelbta…”
Menjëherë i pyetur nga BIRN, Erion Veliaj e mohoi pandehmën se ai është aksioner i një hoteli në Durrës, vlera e të cilit shkon deri në 15 milionë euro. “Kjo është gjëja e tretë më absurde që kam dëgjuar për veten. Kampion mbetet ai që ka thënë se jam djali i Ahmadinexhadit, kurse në vend të dytë ai tipi poshtë dritares, që thoshte se kam bërë skemat piramidale të vitit ‘97, nga gjimnazi. Jo, nuk kam ASNJE lidhje me ndonjë hotel, as në Durrës, as në Tiranë, as në gjithë globin!”-tha ai.
Megjithëatë, ndonëse Veliaj e mohoi pronësinë e tij direkte hoteli “Mediterranean Investment Group” është larg se qeni një frut i iniciativës së lirë kapitaliste. Ai ka në sfond një mbështetje me para publike dhe avantazhe të dhëna nga qeveria Rama. Gazetarja investigative ekonomike, Ola Xama ka shpjeguar të hënën në emisionin “Të paekspozuarit” se nga rrjedhin një pjesë e parave për investimin që po ngrihet buzë Adriatikut. “Hoteli është në pronësi te “Mediteranian Investiment Group” një përqindje aksioneve i takonte të ndjerit, babait të Redi Molla. Sipas regjistrave te sekuestruar nga SPAK, për të parë paratë e kompanisë “5D”, një pjesë e parave kanë shkruar për financimet e hotelit. Unë jam drejtues në bashki krijojë kompaninë time, marr para, gjej një hotel, dhe investoj paratë aty” shpjegoi Xama skemën e lëvizjes së parave. Pra është e qartë nga librat sekretë që ka sekuestruar SPAK se fitimet e Marenglen Qatos dhe Redi Mollës nga tenderimet e bashkisë shkonin në investimet e tyre private, një nga të cilat qe edhe ky hotel. Por natyrisht grykësia e drejtuesve të bashkisë nuk përfundonte këtu. Ata donin edhe favore të tjera.
Më 6 tetor 2021, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro shpalli vendimin e qeverisë për dhënien e statusit special për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Durrës kompanisë “Mediterranean Investment Group”. Ajo foli një investim 15 milionë eurosh, që ishte sipas saj “vazhdim i strategjisë për turizmin i qeverisë shqiptare për të shtuar investitorët e fuqishëm, por edhe brandet më të fuqishme të turizmit botëror”. Patjetër që Marenglen Qato dhe Redi Molla e meritonin etiketën “investitorë të fuqishëm” sepse ata kishin nga pas taksat që qttetarët e Tiranës paguanin për bashkinë e tyre. Ata e themeluan “Mediterranean Investment Group” në shtator të vitit 2020, katër vite pasi kishin krijuar kompaninë e tyre. Dhe tek hoteli futën aksioner me emër, me 24% shtetasin Selim Molla, babai i ndjerë i Redi Mollës, i cili ia trashëgoi aksionet në birit në shkurt 2024.
Pikërisht kësaj kompanie iu dha statusi special. Po ç’do të thotë ky status? Ai parasheh përjashtimin për 10 vite nga tatim fitimi për këtë biznes dhe një pagesë TVSH vetëm 6%. Pra ndonëse hotelin po e ndërtonin me paratë e taksave të qytetarëve, ata e përjashtonin edhe biznesin e tyre nga taksat.
Sipas denoncuesit të kësaj dosje, Belind Këlliçi, e njëjta skemë që është ndjekul me kalimin e parave të 5D për hotelin e “Mediterranean Investment Group” në Durrës është ndjekur edhe me një tjetër hotel luksoz në Dhërmi.
Këlliçi i bëri thirrje SPAK të thellojë hetimet sepse te kallëzimit të tij penal ka qenë edhe Elvin Tivari, që ka punuar si drejtori i Prokurimeve te Ujësjellësi Tiranë ndërkohë që ai drejtohej nga Redi Molla. Tivari është pronar me 40% të aksioneve në hotelin luksoz “La Brisa” në Dhërmi. “Duhet zbuluar kush është pronari i vërtetë i këtij hoteli” bëri apel ai.
©Lapsi.al