Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e sekuestros së marrë ndaj vilës së bashkëjetueses se Arben Ahmetajt në Hamallaj dhe atë të vilës së ish-bashkëshortes së tij në Palasë.
Përmes një vendimi të marrë në dhomë këshillimi, Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë kundërshtimin e bërë nga bashkëjetuesja e Ahmetajt, si edhe E. D. pronarja e vilës në Palasë, që sipas SPAK, është në të vërtetë e ish-bashkëshortes së tij.
Sipas SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.
Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt.
Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK më 8 mars.