Këngëtarja e njohur, Selena Gomez, e cila gjithmonë ka qenë mbështetëse e çështjeve të shëndetit mendor, ka hapur zemrën duke rrëfyer reagimin e saj të papritur pas martesës me producentin Benny Blanco.
Në një intervistë gjatë konferencës “Fortune’s Most Powerful women”, Selena ka treguar se, pavarësisht se ishte moment lumturie, filloi të qante dhe e kaploi frika.
“Mendova se do të vdes ditën tjetër”, ka thënë ajo.
Gomez ka shpjeguar se shpesh, kur ndodhin momente të bukura në jetën e saj, mendja e saj kapet nga frika se diçka e keqe mund të ndodhë.
“Në vend që të shijoj momentin dhe të them: ‘Uau, kjo është e mrekullueshme’, menjëherë mendoj: ‘Të gjitha këto mund të zhduken nesër. Si ta parandaloj që të ndodhë?”, tha Gomez.
Kjo e bën që herë pas here të bjerë në brenga dhe shqetësime të brendshme, duke e penguar të relaksohet dhe të shijojë gjërat e bukura.
Pavarësisht sfidave emocionale, Selena shpreh shpresën për të krijuar familje me Benny. Kjo dëshirë ka një rëndësi të veçantë për të, pasi më parë ka zbuluar se për shkak të disa problemeve shëndetësore mund të ketë vështirësi në shtatzëni.
Selena dhe Benny kanë nisur lidhjen në korrik 2023, e konfirmuar publikisht në dhjetor të po atij viti. Martesa e tyre u zhvillua më 27 shtator në Kaliforni, në një ceremoni private me familjarë dhe miq të afërt.