Senati i Shteteve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese të votave të mërkurën për ta çuar përpara projektligjin prej 901 miliardë dollarësh për Pentagonin, duke e dërguar legjislacionin në Shtëpinë e Bardhë, e cila ka thënë se presidenti Trump do ta nënshkruajë, duke e shndërruar në ligj.
Akti Autorizues i Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) është kompromis mes masave të ndara që ishin miratuar më herët këtë vit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Me këtë ligj autorizohet një shumë rekorde prej 901 miliardë dollarësh për shpenzime vjetore të mbrojtjes, ku përfshihen rritja e pagave prej 4 për qind për ushtarët, blerja e pajisjeve ushtarake dhe përpjekjet për të triumfuar në konkurrencën me Kinën e Rusinë.
77 senatorë ia dhanë dritën e gjelbër këtij projektligji, ndërsa vetëm 20 dolën kundër tij. Mbështetje e fuqishme u vërejt nga të dyja partitë. Projektligji ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar.
Ndryshe nga qëndrimet e presidentit Donald Trump, republikanët e të cilit e kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, buxheti i mbrojtjes përfshin disa dispozita për fuqizimin e sigurisë në Evropë, pavarësisht se Trumpi më herët këtë muaj e lëshoi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, e cila u pa si miqësore ndaj Rusisë dhe rivlerësim i marrëdhënies së Uashingtonit me Evropën.
Në këtë buxhet parashikohen 800 milionë dollarë për Ukrainën – nga 400 milionë për secilin prej dy viteve të ardhshme – si pjesë e Nismës për Asistencë Sigurie për Ukrainën, me të cilën kompanitë amerikane paguhen që të prodhojnë armë për Ukrainën.
Projektligji e përfshin edhe Nismën për Sigurinë e Baltikut dhe me të ndahen 175 milionë dollarë për mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Me këtë legjislacion kufizohet aftësia e Departamentit të Mbrojtjes që të mos e zvogëlojë numrin e trupave në Evropë nën 76 mijë dhe komandantit të ushtrisë amerikane për Evropën i ndalohet dorëzimi i titutllit të komandantit supreme të NATO-s.
Sidoqoftë, në projektligjin e ri nuk përfshihen fondet për ta ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, diçka që e dëshiron presidenti amerikan, por formalisht nuk mund ta bëjë pa miratimin e Kongresit.
Reuters




