Qindra serbë nga Kosova dhe rajoni kanë festuar sot betejën e humbur të Kosovës 633 vjet më parë në Gazimestan.
Në shënimin e asaj që serbët e quajnë dita e Vidovdanit nuk munguan provokimet nacionaliste.
Disa prej tyre me mbishkrime nacionaliste, fotografi të kriminelit serb Voislav Sheshel, flamuj rus dhe shkronjën “Z” që rusët e përdorin në pushtimin e Ukrainës, provokuan Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk u lejuan të hynë në manifestimin qendror.
Ndër qytetarë, që zbritën nga autobusët, arsyetuan prezencën e tyre në Gazimestan dhe kritikuan Policinë e Kosovës “për sjelljen karshi tyre”.
Gjorgjo Zariq, i cili kishte ardhur nga Beogradi, tha se Policia e Kosovës po bën presion qytetarëve dhe kjo, sipas tij është absurde.
“Jo, në fakt asgjë, vetëm këto presione nga policia, nga këto organizata, organizata ilegale, vetëm ky presion, përcjellja e autobusëve tanë dhe gjëra të tilla, kontrollet e sigurisë atje, vërtet budallallëk, nëse më pyesni mua, vërtet budallallëk. Kjo është kauza jone fetare, kemi ardhur këtu për të festuar, dhe për të nderuar vdekjen e të parëve tanë, kjo është marrëzi”, tha ai.
Ndërsa, Dragani, i cili kishte ardhur po ashtu nga Serbia, tha për KP se nga Policia e Kosovës s’kanë pasur asnjë provokim, mirëpo largimi i bluzave me mbishkrime nacionaliste është i panevojshëm.
“Kam ardhur këtu sepse është festa e jona, është një nga festat më të mëdha, dhe për shkak se këtu është bërë një betejë e rëndësishme për ne serbët, unë vij çdo vit këtu dhe do të vij sa të jem gjallë…Nga policia nuk kemi pasur asnjë provokim, vetëm qe i heqin bluzat mendoj se është e panevojshme mendoj se ky është vend përkujtimor serb, dhe sipas meje këtu mund te vishen, por ok, kjo është e juaja”, tha ai.
Nga ana tjetër, patriarku serb Porfirije mbajti liturgjinë kryesore para të pranishmëve.
“Këtu jemi para princit të shenjtë Lazar si fëmijë përpara stërgjyshit, gjyshit, babait tonë për t’u përkulur dhe për ta falënderuar për sakrificën e tij, pasi ai shkoi vullnetarisht në Golgotë me vullnetin e tij për të vuajtur, u sakrifikua për shpëtimi i botës, kështu princi i shenjtë Lazari doli në fushën e Kosovës me ushtrinë e tij për të sakrifikuar veten për atë që jemi sot, populli serb, populli që kremton Krishtin Shpëtimtar, populli që kremton atë besim, atë kryqin e nderuar dhe lirinë e artë për të cilën luftoi princi Lazar dhe ushtria e tij”, tha ai.
Gjatë manifestimit serbët e pranishëm vazhduan me provokime sikur edhe gjatë manifestimeve të mëparshme, duke brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke shpalosur flamuj rus.
Pas kësaj, të njëjtit u larguan në mënyrë të organizuar dhe pa ndonjë incident të theksuar nga Gazimestani.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar për nxitje të urrejtjes gjatë shënimit të Vidovdanit. KP