Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç doli në një konferencë për shtyp me kryeministren Ana Bërnabiç, ku kjo e fundit paralajmëroi se është gati të japë dorëheqjen dhe të çojë vendin në zgjedhje të reja.
Sipas kryetares së qeverisë, zgjedhjet parlamentare mund të mbahen deri në fund të vitit, teksa shtoi se opozita nuk i ka pranuar ftesat e Vuçiç për t’u ulur në dialog.
“Jam e gatshme dhe llogarisni se mund ta keni dorëheqjen time. Jo gjithçka ishte perfekte, por ne bëmë më të mirën dhe mendoj se kemi rezultate që çdo qytetar, nëse është i sinqertë, mund të krenohet me to”, tha Brnabiç.
Të njëjtën gjë konfirmoi dhe presidenti Vuçiç i cili u shpreh se është e sigurt që do të ketë zgjedhje të reja, por pyetja e vetme është se kur do të mbahen ato, teksa insistoi se nuk do të ketë qeveri tranzitore.
“Besoj se do të gjejmë bashkëbisedues. Nëse kjo nuk ndodh, do të shkojmë në zgjedhje, por Qeveria nuk do të zgjidhet në rrugë dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore”, u shpreh Vuçiç.
Muajt e fundit, në Serbi janë mbajtur disa protesta nga opozita, e cila është e pakënaqur me përgjigjen e qeverisë ndaj dy masakrave me armë gjatë muajit maj, që lanë të vrarë 18 persona.