Edi Rama deklaroi sot se nuk është i shqetësuar nga armatimet e fundit të Serbisë.
Në një konferencë me gazetarët shqiptar në Berlin, Rama u shpreh se Serbia është furnizuar me sistem mbrojtës, ndaj kjo nuk përbën problem.
“Nuk jam i shqetësuar për armatimin në fjalë. Nuk shoh se si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë kërcënues”, tha kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, është inkurajues fakti se Serbia ka marrë vendime kundër Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Serbia ka bërë hapa inkurajues me të dyja votimet në Kombet e Bashkuara. Gjërat duhen parë në kontekst dhe vlerësimet duhen bërë pa harruar kontekstin”, tha Rama.
Lidhur me një vizitë të mundshme në Kiev, Rama tha se ka të tjerë personalitete para tij që mund ta bëjnë diçka të tillë.
Rama foli me gazetarët pas një vizite dy ditore në Gjermani ku u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier ku foli për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.