Serbia nis kërkesë te KFOR-i për kthimin e ushtarëve dhe policëve në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën, e cila do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.

Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.

Vuçiq ka sqaruar se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA-ja, dhe se shteti i tij kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me këtë paralajmërim, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Më 15 dhjetor, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por sipas tij, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike./rel

Share This Article